Transmetuar më 06-08-2022, 20:17

SHBA- Në SHBA dhe në Britaninë e Madhe udhëtarët janë njoftuar se duhet ta kenë të karikuar plotësisht celularin përpara se të nisen në fluturim.

Nëse pajisjet tuaja elektronike nuk janë plotësisht të karikuara: telefoni, laptopi ose iPad, ato mund t’ju sekuestrohen nëse e kërkon sigurimi.

Faqja e internetit e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar thotë: "Sigurohuni që pajisjet tuaja elektronike të jenë të karikuara përpara se të udhëtoni. Nëse pajisja juaj nuk ndizet kur ju kërkohet nga sigurimi, nuk do të lejoheni ta merrni me vete në avion."

British Airways ka implementuar këtë rregull dhe ka thënë: "Mund të merrni sende elektrike dhe elektronike në dorë ose bagazhe të kontrolluara, por duhet të ndiqni udhëzimet specifike të sigurisë. Stafi i sigurisë së aeroportit mund t’ju kërkojë të aktivizoni pajisjet elektronike ose me bateri, si telefonat, tabletët, dhe laptopët, për të demonstruar funksionin e tyre.”

Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni këtë, nuk do të mund ta merrni pajisjen tuaj me vete.

"Ju lutemi sigurohuni që çdo objekt elektronik në bagazhet tuaja të dorës të jetë plotësisht i karikuar dhe i ndezur përpara se të mbërrini në aeroport. Nëse pajisja juaj nuk është e karikuar, ju lutemi vendoseni në bagazhin tuaj të kontrolluar.”