Transmetuar më 11-08-2022, 20:53

Randy Schiefer kujton se si ai, u zgjua nga britmat e nënës së tij në katër të mëngjesit.

Në atë kohë ishte 16 vjeç. Ishte viti 1969 dhe familja e tij po qëndronte në një hotel gjatë pushimeve në Nju Xhersi, SHBA.

Ai vrapoi drejt britmave që dëgjoi dhe gjeti të atin duke u shuar nga një atak në zemër. Doli me vrap në korridor, duke përplasur dyert dhe duke u përpjekur të vinte dikush që të ndihmonte. "Por askush nuk e bëri," thotë Schiefer.

Babai i Schiefer vdiq atë natë. Djali ishte i shkatërruar. Më e keqja është se sa herë që mendonte për të atin, zhytej në ndjenjat e fajit dhe frikës.

Ndërsa mendonte pareshtur për mënyrën si iku babai, në mënyrë të pashmangshme mendonte për vdekjen e tij të mundshme, qoftë dhe dikur.

"Nisa të kisha herë pas here sulme paniku," thotë Schiefer. "Pata shtrëngime në gjoks dhe e vetmja mënyrë që mund ta kontrolloja veten ishte t’i thoja vetes "Mirë, hiqe nga koka, hiqe nga koka". Për Schiefer, vdekja ishte një mur i zi, një pikëpyetje. Domethënë, derisa u përball vetë.

Ai përjetoi atë që njihet si një përvojë afër vdekjes – gjëra të cilat janë dokumentuar në mbarë botën dhe mund t’i bëjnë njerëzit të ndryshojnë mënyrën se si e jetojnë jetën e tyre.

Përballë vdekjes

Në mars 2020, Schiefer kishte atë që ndihej si një grip shumë i vazhdueshëm. Mjeku i tij i kishte thënë se kishte nevojë vetëm për pushim, por me kalimin e ditëve simptomat u përkeqësuan. Ai u testua për COVID-19 dhe rezultoi pozitiv.

Gjërat u përkeqësuan shpejt për Schiefer. U dërgua me urgjencë në një spital aty pranë, ku ra gjendje kome të shkaktuar nga mjekimi i gabuar dhe u vendos në një makineri zemër-mushkëri.

Ishte pa ndjenja për gati një muaj. Por ia doli pas një trajtimi plazmatik rikuperues të cilin kërkoi vajza e tij Lisa Schiefer. Ai mori transfuzionin e gjakut një të premte dhe të dielën, mjekët ishin në gjendje të fiknin aparatin zemër-mushkëri që e mbante në jetë.

"Mushkëritë e mia ishin pastruar plotësisht të martën më pas. Veshkat e mia filluan të funksionojnë plotësisht përsëri dhe po ashtu edhe mëlçia ime," thotë Schiefer.

Pasi mjekimi mbaroi dhe Schiefer po përmirësohej vazhdimisht, vajza e tij u lejua të rrinte me të në dhomën e tij të spitalit.

"Vetëm pasi u lejova pranë shtratit të tij, ai filloi të komunikonte me mua për atë që përjetoi," thotë ajo.

Një Përvojë e Papritur

Përvojat afër vdekjes mund të ndodhin kur dikush përballet me një situatë kërcënuese për jetën, siç është arresti kardiak ose kur pacienti është nën anestezi të thellë.

Disa njerëz kanë raportuar ndjenjën e largimit nga trupi i tyre dhe vëzhgimit të mjedisit rrethues. Për Schiefer, udhëtimi i tij filloi me atë që i dukej si një gyp avioni.

Schiefer thotë se ka pasur një moment kur ishte në koma dhe kujton faktin se ishte zgjuar vetëdija e tij. Ai po udhëtonte nëpër një lloj tuneli, me dritë, që kalonte në një si dritare, në një aeroplan.

“Dritë e bukur, e ngrohtë, e dashur”, thotë Schiefer.

Tuneli e solli në një dhomë të madhe me dritare të harkuara dhe xhama me njolla. Edhe aty përshkohej po ajo dritë të ngrohtë e të dashur.

Pastaj Schiefer thotë se një zotëri iu afrua dhe tha se nuk i përkiste këtij vendi – dhe se duhej të largohej. Ai doli përmes dyerve gjigante prej lisi në një mjedis edhe më të qetë.

“Më kujtohet që kalova nëpër dyer dhe më çuan në një qytet të artë. Dhe ishte absolutisht mahnitëse”, thotë Schiefer.

Kur ia përshkroi qytetin për herë të parë vajzës së tij Lizës, ai tha se ishte si Parisi, por më i bukur, më i pacenuar. Ai thotë se bari në parqe ishte një gjelbërim më i thellë se çdo gjë në tokë.

"Dhe të mendosh se unë kam qenë në malësitë e Skocisë," thotë Schiefer.

Por kjo shëtitje e mahnitshme mori një kthesë kur Schiefer kuptoi se nuk e dinte se ku ishte apo si të kthehej. Ai u ndje i humbur.

“Më kujtohet që u ula dhe nisi të më kapte paniku e fillova të qaja”, thotë ai.

Ajo ndjenjë ngrohtësie e la papritur. Ai thotë se ndjente ftohtë dhe ishte i frikësuar.

“Papritur pashë mbi supe dhe pashë një shkallë të madhe të bardhë që ngrihej në qiell aq sa mund të shihje”, thotë Schiefer.

Ai filloi të ngjiste shkallët, duke u zvarritur me duar dhe gjunjë, dhe më pas thotë se dikush e thirri me emër, e kapi nga këmisha dhe e largoi.

"Më kujtohet se u nxi çdo gjë dhe isha përsëri në botën time të vogël, të errët, të qetë," thotë Schiefer.

Vajza e tij e dëgjoi me vëmendje historinë e Schiefer-it, por bëri të qartë se ai nuk kishte udhëtuar në asnjë qytet kohët e fundit. Në fakt, ai kishte qenë në koma në një dhomë spitali për gati një muaj. Por ai këmbënguli se përvoja ishte e vërtetë.

Vajza i tha se ishte ndoshta një ëndërr apo halucinacion nga mjekimi i rëndë që nuk i përshtatej Schieferit.

"Ëndrrat e mia ishin të mjegullta. Dhe halucinacionet e mia ishin thjesht marrëzi. Pashë nëntë arinj panda duke kërcyer në tavan," thotë Schiefer.

Ndërsa ndalet tek ajo që përjetoi: "Por kjo ishte kaq e vërtetë. Unë isha atje. Isha i përfshirë me mjedisin tim dhe ndjeva kaq shumë paqe, dashuri dhe pranim. Më shumë se sa kam ndjerë ndonjëherë më parë."

Një ndryshim i dukshëm

Vajza e Schiefer-it, Lisa, filloi të vinte re ndryshime te babai i saj pothuajse menjëherë pasi ai u kthye në shtëpi.

"Unë dhe mamaja ime u ulëm në ishullin e kuzhinës dhe ai nisi të flasë," thotë ajo. "Po na tregonte pikërisht këtë që ju rrëfeva".

Teksa po fliste për atë që përjetoi, ai i kërkoi vajzës së tij të merrte një kuti syzesh nga një dollap.

Ai nxori syzet dhe i nguli sytë atyre. Dukej pak i shtangur teksa i tha se personi i fundit që e nxori nga ajo situatë, teksa ishte në koma, ishte babai i tij.

Lisa Schiefer thotë se tani, i ati ka një energji të re. Ai është i emocionuar dhe optimist. Dhe i pëlqen të ndajë përvojën e tij afër vdekjes me këdo që është kurioz.

"I pëlqen të flasë për atë, gjë që është e mirë për të. Më vjen mirë që ka një hobi," qesh ajo.

Por përshtatja nuk ka qenë e lehtë.

Së pari, sa herë që dëgjon historinë e babait të saj, kjo histori e kthen atë në javët më të tmerrshme të jetës së saj – netë pa gjumë të kaluara duke u shqetësuar nëse do të merrte thirrjen e frikshme nga spitali.

“Nuk është emocionuese për mua të rri duarkryq dhe të dëgjoj dhe të kujtoj se si babai im për pak vdiq”, thotë ajo.

Dhe është aq mirënjohëse që ishte një nga ato me fat, familja e së cilës u kthye në shtëpi.

Vajza thotë se babai ka qenë gjithmonë shoku i saj më i mirë. Pra, edhe pse ky transformim që ajo po dëshmonte ishte një gjë e mirë, asaj i mungonte versioni para-COVID i tij: Ai që ishte pak gjaknxehtë dhe i mbyllur herë pas here.

Schiefer u kthye në shtëpi më shumë se dy vjet më parë, dhe familja që atëherë ka gjetur një ritëm të ri. Vajza e tij u shpërngul përgjithmonë në Florida për të mos u larguar nga prindërit e saj.

Për Schiefer, tani ka një jetë të re. Ai nuk ka më frikë të flasë për vdekjen, sepse nuk ka më frikë nga vdekja.

Sulmet e panikut që më parë e mundonin, kanë pushuar.

Dhe nëse e pyet Schieferin pse ai nuk ka më frikë nga vdekja, shprehet kështu:

"Kam qenë atje. Unë kam qenë atje. E kam përjetuar." /noa.al