Transmetuar më 27-07-2022, 08:30

Nga ARTAN FUGA

Lexoj në media se paska një shifër nja dyqind mijë turistë grekë paskan lënë plazhet e Greqisë dhe kanë ardhur këtej nga anët tona për pushime nga janari në qershor 2022! Të mbash barkun me dorë nga të qeshurat!

Statistikat tona vaj hallit, dhe vaj medet! Pa asnjë profesionalizëm. Këta edhe në shekullin e 21-të masin turizmin me kokat e robve që kalojnë kiufirin, jo me vlerën financiare të çdo turisti, pra me ditët e qendrimit, me kohën në hotele, me paratë që shpenzon, me besnikërinë që shfaq si klient, etj., tregues të saktë.

Imagjino sikur i njëjti njuri ta kalojë tetë herë në javë kufirin, ai do të quhej tetë njerëz! Jo oreeeeeee, fareeee, kollaj mo, shko shiko regjistrat e pikës doganore dhe bëj statistika. Pyet policin ore sa vetë kanë hyrë nga Greqia me pasaportë greke.

200 mijë – thotë polici i shkretë! Hoooop, statistika gati. Grekët po lënë ishujt e tyre dhe po mësyjnë Vlorën!!! Ata mund të jenë shqiptarë emigrantë që pasi kanë marrë pasaportat greke vijnë me kalamaj për të parë nonat, babat, dajkot, xhajat, nëpër katundet tona dhe këta i marrin për turista, i përzjejnë bashkë.

Sa bëjnë dy dele plus dy gomerë plus dy lopë? Sa tursitë bëjnë dy çiliminj në djep, dy vajza që vijnë me burrat e tyre për t’u çmallur me prindërit, tre pushues, dhe katër çuna shqipo me letra greke, që kalojnë katër herë në ditë kufirin?

O vaj medet! Ore, ndani statistikat nga propaganda se po lemë kokrrën e namit moooooo!