Transmetuar më 21-07-2022, 10:10

Një grup aktorësh të Teatrit Kombëtar, nëpërmjet një letre dërguar kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti, kërkojnë rritje pagash. Sipas tyre, për disa vite me radhë, Teatri Kombëtar ka qenë në pararojë të shfaqeve artistike dhe të institucioneve publike në fushën e artit.

Në letër nënvizohet se pavarësisht vështirësive, duke filluar që nga pandemia, prishja e godinës, në sajë të një pune të jashtëzakonshme, salla e teatrit vijon të jetë e mbushur plot.

Aktorët e TK, në kërkesën për rritje page, marrin shkas edhe nga rritja e pagave që është bërë kohët e fundit në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ku pagat e artistëve u rritën në nivelet nga 15% deri në 57%. Aktorët thonë në letrën e tyre se presin reagimin e qeverisë deri më 31 gusht, më pas do të ndërmarrin veprime të tjera me karakter sensibilizues.

"Të bindur për këtë, me durim do presim reagimin tuaj deri më 31 Gusht 2022. Nëse pastaj do vëmë re që kjo gjë do të kalojë në indiferencë, pra është bërë qëllimisht, atëherë ne do të përshkallëzojmë dhe veprimet tona për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe artistik”, thuhet në letër.

Firmëtarët e letrës: Dritan Boriçi, Laert Vasili, Arben Derhemi, Olta Daku, Besmir Bitraku, Anila Bisha, Donald Shehu, Ardian Cerga, Niada Saliasi, Ndriçim Xhepa, Ina Gjonci, Lulzim Zeqa, Dori Çaushi, Helidon Fino, Laedia Hajdari, Armand Bora, Neritan Liçaj, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Gladiola Harizaj, Naun Shundi, Erjona Kakeli, Myzafer Zifla.