Transmetuar më 19-07-2022, 09:30

REDAKSIONALE/ Shqipëria në vorbullën e hapjes së negociatave, vendet e tjera të Ballkanit kanë ngecur dhe pse i çelën shumë vite para nesh dhe janë shumë më të zhvilluara se ne

Konferencëa e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE po mbahet në Bruksel, proces ky që shënon edhe nisjen zyrtare të procesit të negociatave për anëtarësim. Proces që vende si Turqia, Mali i Zi dhe Serbia e kanë nisur prej shumë vitesh dhe janë ende në vendnumëro.

Serbia ka ecur me një pjesë të 35 kapitujve, por ka ngecur sidomos për shkak të refuzimit të papërgjegjshëm për të njohur shtetin e Kosovës.

Mali i Zi, ka përparuar shumë me kapitujt, por ende ka ngecur, mes përpjekjes për të qenë pjesë e BE dhe ndikimit rus që vetëm sa shtohet.

Turqia nisi bisedimet për anëtarësim me BE që në vitet ’80, por kurrë Brukseli nuk përparon në këtë proces duke e shtyrë për në kalendat greke, me dëshirën e qartë që vendi i Ataturkut kurrë mos të bëhet pjesë e Unionit.

Në të gjitha rastet, këto vende janë shumë më përpara Shqipërisë në zhvillim në shumë fusha dhe në ndikim ndërkombëtar.

Shqipëria, një vend që është tkurrur çdo ditë nga emigracioni që nuk ndalet, po përjeton një tranzicion të pambarimtë, me politikë të vjetër që ka lodhur shqiptarët. Vendi ka një ekonomi të dobët, prodhim minimalist, import të çdo gjëje dhe eksport fare modest, infrastrukturë shumë larg standardeve evropiane, turizëm mjeran dhe ç’është më e keqja, pasiguri për të ardhmen që nxit njerëzit e çdo shtrese, të përpiqen të braktisin atdheun.

Ndonëse vendi ynë ka kaq shumë mangësi dhe dizavantazhe krahasuar me Turqinë, Serbinë dhe Malin e Zi, ka megjithatë diçka të përbashkët: Autoritarizmin politik që i karakterizon prej dekadash.

Kështu Turqia vazhdon parimin e unit duke pasur kontrollin e pushtetit prej vitesh në dorën e një politikani që nuk di të ndalet si Erdogan, i cili me modelin rus të Putinit, qëndron në pushtet herë si kryeministër e herë si President.

Në Serbi, Vuçiç ka krijuar skemën e pushtetit të pafundmë duke luajtur kartat nacionaliste që dhe vetë nuk i beson e duke ndarë edhe ai prej shumë vitesh pushtetin mes qeverisë dhe Presidencës.

Në Malin e Zi, Gjukanoviçi nuk ka të ndalur që nga 1991 duke qëndruar pareshtur në majat e pushtetit herë si kryeministër e herë si president.

Në Shqipëri, Edi Rama mban një mandat të tretë të paprecedentë dhe synon të katërtin, me një përqendrim të pushteteve si kurrë më parë dhe përballë një opozite inekzistente që ka në krye një politikan afër të 80-ave të padëshiruar nga SHBA.

Në këtë vorbull, mjafton të shtohet dhe fakti se në preambulën kushtetuese të Bashkimit Evropian thuhet qartësisht se Unioni është një klub i krishterë, për të kuptuar se vende me shumicë myslimane si ne dhe Turqia, por dhe Kosova, Bosnja e deri diku Maqedonia, duket ta kenë gjithnjë e më të largët ditën kur BE do t’i bëjë pjesë të Unionit dhe ç’është më e rëndësishmja, të hedhë paratë e saj për të sjellë standardet evropiane në vendet aderuese.

***

Rama në Bruksel dhe si u zhbllokua procesi

Kryeministri Edi Rama është pritur nga Presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa po ashtu do të takojë edhe Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Rruga e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt hapjes së negociatave u zhbllokua pas votimit në parlamentin maqedonas të propozimit francez që zgjidhi ngërçin me Bullgarinë.

Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit 16 vite më parë, në vitin 2006 ku nisi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, ndërsa më 24 qershor të vitit 2014 mori statusin e vendit kandidat.