Transmetuar më 09-07-2022, 17:37

Covid duket se nuk do shkolet lehtë dhe do të na shoqërojë gjatë me nënvariantet e tij. Ekspertët kanë zbuluar një nënvariant të ri të koronavirusit që po qarkullon në mënyrë masive në të gjithë botën. Bëhet fjalë për BA.2.75, pasardhës i variantit BA.2 të Omicronit që po përhapet me shpejtësi dhe duket se arrin t’i shpëtojë përgjigjes imunitare të trupit.

Deri më tani, nënvarianti ka bërë rrugën e tij në të paktën 10 vende në Azi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Australi. BA.2.75 u zbulua për herë të parë në Indi në fillim të majit dhe që atëherë është përhapur me shpejtësi. Ai përbënte pothuajse 25% të mostrave atje që nga 2 qershori dhe po konkurron me BA.5 dhe BA.2, sipas Katelyn Jetelina, PhD, MPH, një epidemiologe në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit të Teksasit në Dallas.

Raste të këtij varianti të ri janë diktuar së fundi në Japoni, Gjermani, Britani, Kanada, SHBA, Australi dhe Zelandën e Re. Studiuesit po e përshkruajnë atë si një variant të “gjeneratës së dytë”. Megjithatë, numri i rasteve të tij nëpër botë është ende i ulët dhe për momentin, e bën të vështirë mbledhjen e informacioneve të rëndësishmë lidhur me sekuencimin e virusit.

“Të dhënat mbi këtë variant janë minimale aktualisht, megjithatë po e mbajmë nën vëzhgim,"- thotë biologu molecular, Ulrich Elling.

Mutacionet e shumta nënkuptojnë një rritje të potencialit të sëmundjes për shmangien e imunitetit.

Paul Offit, drejtor i Qendrës për Krijimin e Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia të SHBA-së shfaq bindjen se e ardhmja do të sjellë më shumë njerëz të sëmurë, por që do të kenë simptoma më të lehta, kryesisht gjatë dimrit. ai nuk mohon shtimin e rasteve me uljen e temperaturave.