Transmetuar më 06-07-2022, 15:01

Strasburg- Siç ishte njoftuar, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen e ndërsjellë”. Raporti është hartuar nga deputetja gjermane, Viola von Cramon.

Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet. Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.

“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha Viola von Cramon.

Cramon theksoi gjithashtu se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejt për Kosovën.

“Parlamenti Evropian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!””, ka deklaruar von Cramon.

“Një element thelbësor i rrugës së integrimit në BE është dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë. I dërguari special i BE-së, Miroslav Lajcak, ka mbështetjen tonë të plotë dhe ekziston një unitet unik transatlantik. Megjithatë, pa marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, pranimi nuk do të ndodhë”- vijoi ajo.

Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.