Transmetuar më 05-07-2022, 22:22

Podgoricë- Ngjall polemika të forta në Malin e Zi një foto e Ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj.

Qendra për Edukim Qytetar dhe grupime të tjera pro serbe, e quajnë skandaloze foton e ministrit nga Tuzi, me origjinë shqiptare. Sipas tyre, ministri ka gjithë të drejtën të respektojë përkatësinë e tij, por duhet që t’i përmbahet interesave të shtetit të Malit të Zi.

“Ministri i Administratës Publike Maraš Dukaj, edhe pse vjen nga partia e pakicës kombëtare, duhet ta dijë se si anëtar i Qeverisë së Malit të Zi, e sidomos kur vepron si ministër, ka obligim të përfaqësojë interesat e shtetit te Malit të Zi dhe të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht përkatësisë kombëtare apo të ndonjë përkatësie tjetër” thuhet ne reagimin e Qendrës për Edukim Qytetar (QQQ). Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare parashikon ndalimin e shfaqjes së simboleve të vendeve të tjera, ndër të tjera, në objektet qeveritare,”-shkruajnë ata në llogarinë e tyre në Twitter.

Pas këtyre reagimeve në mediat malazeze dhe në opinionin publik, vetë Dukaj ka sqaruar foton duke u shprehur se e gjitha është në përputhje me rregulloren e shtetit. Ndërsa shton se foton e nuk e ka bërë tek zyra e administratës por në Komunën e Tuzit, duke i cilësuar të gjitha aludimet si të kota.

“Për shkak të vëmendjes së paprecedentë mediatike dhe sulmeve të ndryshme të pabaza, për hir të publikut, jam i detyruar të theksoj si në vijim: Si shqiptar etnik, në Komunën e Tuzit kam shfrytëzuar të drejtën e vendosjes së flamurit shqiptar përveç flamurit të Malit të Zi, sepse kjo është në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Fotoja ime, në të cilën përveç flamurit të Malit të Zi shihet edhe flamuri i popullit shqiptar në Mal të Zi, nuk vjen nga Ministria e Administratës Publike, sepse kjo nuk do të ishte në përputhje me rregulloret e shtetit tonë; Më vjen keq që mediat dhe hapësira publike e Malit të Zi është ende një terren provash për informacione të paverifikuara, sensacionale dhe spekulime të llojeve të ndryshme. Unë vazhdoj punën time në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe në partneritet me aleatët tanë evropianë dhe euroatlantikë,”-shpjegon ai.

Mesa duket e gjitha ka qenë një "alarm i rremë" dhe një foto e paverifikuar se ku është shkrepur.