Transmetuar më 04-07-2022, 16:36

Tiranë- Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet më 24 Korrik në një seancë për betimin e presidentit të zgjedhur Bajram Begaj.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të konferencës së kryetarëve.

Njoftimi i Plotë:

Konferenca e Kryetarëve miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 4 – 29 korrik 2022 dhe kalendarin e të punimeve të Kuvendit për periudhën 11 – 29 korrik 2022.

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Mbledhja miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 4 – 29 korrik 2022 dhe kalendarin e të punimeve të Kuvendit për periudhën 11 – 29 korrik 2022.

U vendos zhvillimi i seancave plenare më 14, 21 dhe 24 korrik 2022.

Mbledhja vendosi t’i propozojë seancës plenare shtyrjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrative-Territoriale në Republikën e Shqipërisë deri në 30 shtator 2022.