Transmetuar më 04-07-2022, 10:12

Javier Zanetti, kapiteni historik argjentinas i Interit, sot është zv.president i skuadrës zikaltër. Ai ka qenë protagonist i formatit të "Inter Tv", të titulluar "Karriera", ku përmes disa imazheve ka rrëfyer historinë e tij me zikaltrit. E nisi rrëfimin nga hapat e parë me Interin:

“Kujtim i bukur ishte prezantimi im me Sebastian Rambert. Ishte një person i madh si Giacinto Facchetti, i cili bëri historinë e klubit. Ishte takimi im i parë me Italinë, kjo foto përfaqëson fillimin e karrierës sime tek Interi. Kur mësova se më kërkonte Interi, bleva një kostum që kushtoi shtrenjtë. Flas me Rambertin herë pas here, ai është zëvendësi i Ramon Diazit. Kemi një marrëdhënie të mrekullueshme, për të dy ishte një ëndërr të arrinim tek Interi.

A më pëlqen Facchetti? Të flasësh për Giacinton është një emocion i madh. Që kur e takova kuptova se ishte një person shumë i madh. Prania e tij në "Appiano" vlente respektin e të gjithëve. Ai më mësoi aq shumë, sa më mungon. Do të kem gjithmonë kujtime të shkëlqyera prej tij”.

Rrëfimi vazhdom me fitimin e Kupës UEFA 1998 në Paris, kundër Lazios: “Ishte një revansh pas humbjes ndaj Schalke. Nuk është kurrë e lehtë të kesh dy finale ndërkombëtare radhazi, për ne ishte një natë ëndrrash. Nuk kam shënuar shumë gola, por ai i asaj nate ishte shumë i rëndësishëm. Goli për 2-0 na qetësoi. Familja ime ishte gjithashtu në tribuna, duke ndarë këtë lumturi të pamasë me të dhe me tifozët ishte më e mira për mua.

Të gjithë e mbajnë mend atë Inter, sepse kishte një grup të mirë. Gigi Simoni ishte lideri ynë; na shikonte si fëmijë, kishim vlera të pafundme njerëzore. Ai grup fitoi Kupën UEFA, sepse ishim të bashkuar. Mund të kishim fituar më shumë, pastaj e kuptuam pse nuk ndodhi. Por ne dhamë gjithçka në fushë".

Pas Facchetti, një tjetër njeri, të cilin Zanetti e vlerëson shumë prej kohësh, është kundërshtari i derbit të Milanos; Paolo Maldini: “Unë gjithmonë e kam admiruar Paolon, me të kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer, brenda dhe jashtë fushës. Një person i vërtetë, shumë i respektueshëm. Ne u përballëm në shumë derbi. Ai mbrojti fanellën dhe historinë e klubit kuqezi, ashtu si unë të Interit, por kjo miqësi e madhe do të mbetet gjithmonë”.

Argjentinasi u përball me shumë sulmues të fortë. Zanetti veçon njërin: “Kundërshtari më i madh? Kam luajtur kundër kampionëve të mëdhenj, Roberto Baggio më vjen në mendje njerëzisht. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer edhe me të, krijuam një miqësi të madhe kur mbërriti tek Interi. Si kundërshtar nuk ka qenë kurrë e lehtë të përballesha me të. Më pas mendoj për Zidane, Ryan Giggs, Lionel Messi, me të cilët u përballa në Champions League. Përtej asaj që japin në fushë, ata janë të gjithë njerëz të mëdhenj”.

Atmosfera e disa derbeve kthehet në mendjen e Javier Zanettit: “Kanë qenë gjithmonë ndeshje shumë të përzemërta. Emocionet që ndjen në një derbi vështirë se i ndjen në një ndeshje tjetër. Të shohësh ‘San Siron’ plot është një ndjesi unike. Më kujtohen derbet e Champions-ve, kur u eliminuam me dy barazime. Në ato dy javë ishte një tension i jashtëzakonshëm në Milano, kudo që shkoje kuptoje rëndësinë e asaj sfide”.

Interi i argjentinasve ishte ai i Zanettit: “Cambiasso, Samuel dhe Milito janë si vëllezër, të gjithë njerëz që kanë dhënë gjithçka për Interin. Ne tek Interi nuk ndiheshim të huaj, ishte shtëpia dhe familja jonë. Thjesht donim të shkruanim faqe të rëndësishme në historinë e klubit. Ne fituam gjithçka, sepse ishim burra të mëdhenj, para se të ishim lojtarë të mëdhenj. E ndihmuam njëri-tjetrin, ishte një grup shumë bujar. U drejtuam nga trajnerë të mëdhenj, që na bënë të shkojmë përtej mundësive tona”.

Sot, Zanetti, si drejtues përpiqet të rrënjosë te lojtarët besimin dhe vetëdijen e të qenurit në një ekip të madh: “Kur flas me lojtarët aktualë, të cilët ndoshta rrëzohen pas një disfate, gjithmonë them se Interi është elastik. Unë i thashë edhe presidentit Massimo Moratti se do të vinte momenti ynë dhe koha më ka dhënë të drejtë”.

Dita e lamtumirës në "San Siro": “Një nga momentet më emocionuese të karrierës sime. Ishte shumë emocionues, të gjithë ndodheshin aty. Atë natë ishte fundi i një karriere plot emocione, i mbaj mend të gjitha momentet, veçanërisht ato më të vështirat, sepse më ndihmuan shumë para se të fitoja gjithçka që fitova.

I ruaj të gjitha gjërat që kam bërë për 20 vite, të gjithë kilometrat, lojërat, njerëzit. Do të kisha dalë nga stadiumi për t’i përqafuar të gjithë tifozët, sepse edhe tani tregojnë dashuri për mua. Kjo është gjëja më e mirë, sepse më njohin për atë që kam dhënë”.

Momente të mira dhe të këqija, të gdhendura në kujtesën e kapitenit: “Më i keqi më 5 maj. Ishte e vështirë, e trishtueshme, shumë e vështirë të humbisje titullin në ndeshjen e fundit, pasi kishim udhëhequr të gjithë kampionatin. Futbolli na ktheu shpinën. Momenti më i bukur është padyshim nata në Madrid, aty bëmë një ëndërr realitet, fituam Champions-in”.