Transmetuar më 04-07-2022, 09:08

Paul Pogba mezi pret të kthehet te Juventusi. Ai ka publikuar disa imazhe në rrjetet sociale, në të cilat me këpucë me thumba në këmbë po stërvitet, tashmë në pritje të sezonit të ri. Francezi do të rikthehet me fanellën bardhezi, pas largimit nga Manchester United.

Kështu, Instagrami dhe Twitteri janë mbushur me foto të Pogba duke djersitur. Duket qartë synimi i tij: të rikthehet sa më shpejt në formë, duke harruar edhe momentet e këqija të kaluara në Angli.

Mesazhi i Pogba për të gjithë është i qartë: “Mezi po pres”. Tani është çështje ditësh. Më 10 korrik, në fakt, kampioni i botës me Francën duhet të paraqitet në "Continassa" për të nisur stërvitjen me Juventusin, nën urdhrat e Massimiliano Allegrit.

Lojtari vjen si transferim i lirë, ashtu si herën e parë te Juventusi, duke u dëshmuar në një kohë të shkurtër si top-lojtar. Kur Juve e shiti atë te Manchester United mori një shifër shumë të lartë, që tregon se Pogba ishte ndoshta mesfushori më i fortë në botë në atë kohë.

Në Angli, megjithatë, përveç fitores së "Europa League" në vitin e parë, gjërat nuk shkuan ashtu siç priste Paul. A do të mundet Torino ta kthejë në atë që ishte? Këtë e dëshirojnë aq shumë fansat e "Zonjës së Vjetër".