Transmetuar më 03-07-2022, 18:32

Tiranë- Policia në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Flagranca”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i E. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe E. Sh., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë E. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Shërbimet e policisë kanë ndaluar mjetin me drejtues shtetasin E. H., dhe me pasagjer shtetasit E. M dhe E. Sh.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. Sh., iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krëhër dhe municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. H., nuk ka kallëzuar krimin.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. M., nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov, krëhra me municion luftarak dhe një palë dylbi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale. (noa.al/M.D)