Transmetuar më 03-07-2022, 08:47

Formalizimi i rinovimit të kontratave të Paolo Maldinit dhe Frederic Massara zhbllokoi edhe dinamikën e merkatos te Milani.

Kjo është e drejtë, sepse me përcaktimin e zgjatjes së marrëveshjeve të dy drejtuesve, kampionët në fuqi të Italisë më në fund mund të përqendrojnë burimet dhe energjitë në përforcimet e nevojshme, për t’ia besuar duarve të afta të Stefano Piolit.

“Djalli”, pra, hidhet me kokë në treg dhe objektivi i parë që monitorohet me vëmendje ekstreme është ai i Hakim Ziyech. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, Maldini dhe Massara i kanë përshpejtuar operacionet, ndërsa prisnin të jepnin goditjen vendimtare.

Futbollisti maroken, por me nënshtetësi holandeze, do të përfaqësonte karakterin ideal të trekuartistit të Milanit. Një paketë cilësie, teknike dhe shkathtësie që Milani nuk dëshiron ta humbasë dhe, për këtë arsye, diskutimet me Chelsea kanë nisur tashmë për të përshkruar formulën ideale që mund ta çojë marrëveshjen drejt “tymit të bardhë”.

Prandaj po mendohet huazimi me të drejtë shlyerjeje, pa përjashtuar që londinezët të kontribuojnë për të paguar një pjesë të pagës prej 6 milionësh që lojtari do të marrë me kontratë deri në vitin 2025.

Ziyech u ble nga Chelsea për 40 milionë euro në verën e vitit 2020, duke e marrë atë nga Ajax. Në Londër, lojtari i datëlindjes 1993 ka zhvilluar dy sezone me ndërprerje dhe aktualisht, falë konkurrencës së madhe dhe zgjedhjeve taktike të Tuchel, ai do të donte të provonte një përvojë të re.

Për 4-2-3-1 e Piolit, Milani ëndërron ta bashkojë atë me Rafael Leao, MVP i Serie A të fundit dhe për të cilin kuqezinjtë duan të përshpejtojnë rinovimin e kontratës. Portugezi është i lidhur me kampionët në fuqi të Italisë deri në qershor 2024, por për momentin ka ende një distancë të konsiderueshme për t’u kapërcyer midis ofertës dhe kërkesës për rinovimin.

Milani, nga ana e tij, ndihet i sigurt prej surprizave të tregut për momentin falë klauzolës 150 milionë euro që bllokon efektivisht Leao, por synimi është të arrihet një marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur për të zgjatur partneritetin deri në vitin 2027.