Transmetuar më 02-07-2022, 08:18

Romë- Sulmohet me armë furgoni i blinduar i postës që transportonte para në Romë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 8 të mëngjesit të sotëm ku furgoni u ndoq në disa nga lagjet kryesore të Romës, si via Anteo, Torre Angela dhe përballë një poste të qytetit.

Sipas mediave italiane katër banditë të armatosur me pistoleta rrethuan një automjet të një institucioni privat sigurie dhe hapën zjarr ndaj një oficeri që mbeti i plagosur në krah.

Më pas, një prej tyre i veshur si komando, ka marrë disa pako me një shumë të madhe parash, të paktën 350 mijë euro, të destinuara për postën e zonës dhe është larguar me makinë, duke braktisur një furgon tjetër blu që përdorej për të mbyllur aksesin në rrugë.

Në të gjithë kuadrantin juglindor të kryeqytetit janë zhvilluar kontrolle të policisë, duke përfshirë edhe monitorim nga ajri me një helikopter.

Roja i sigurisë, i cili u shpëtua menjëherë me një ambulancë “Ares 118”, u dërgua me urgjencë në Poliklinikën Casilino dhe u shtrua në spital.

Ndërkohë në vendngjarje agjentët e skuadrës lëvizëse dhe policia shkencore së bashku me hetuesit e komisariatit të policisë Casilino Nuovo po tentojnë të rindërtojnë ngjarjen. Në orët në vijim mund të sigurohen edhe pamjet video të kamerave të vëzhgimit në zonë. Në veçanti, një lokal para të cilit ndodhi sulmi pasi në atë kohë kishte njerëz që hanin mëngjes.

Sipas një rikonstruksioni fillestar të fakteve, banditët kanë kryer një manovër me furgonin e tyre, ndoshta të vjedhur, për të bllokuar mjetin e institucionit të sigurisë dhe për të mos lejuar që drejtuesi të largohet siç kërkon protokolli i sigurisë.

Automjeti kishte hyrë në një garazh, por shoferi gjithsesi arriti të shpëtonte dhe të strehohej pranë stacionit të policisë lokale. Megjithatë në momentet fillestare ata u përballën me rojen e sigurisë që kishte zbritur dhe që dyshohet se u përpoq të reagonte ndaj sulmit.

Dhe pikërisht atëherë komando qëlloi të paktën pesë herë me armë, duke plagosur agjentin dhe duke marrë një pjesë të parave që ndodheshin në mjetin e blinduar. Policia italiane dyshon se ky mund të jetë një aksion i kryer nga profesionistë, i planifikuar prej disa kohësh.