Transmetuar më 02-07-2022, 08:04

Liverpool-i ka zyrtarizuar rinovimin e Mohamed Salah, i cili do të vazhdojë të jetë me "Reds" deri në vitin 2025. Egjiptiani ka parë sesi klubi i ka pranuar pretendimet e tij financiare dhe tani do të ketë një nga kontratat më të mira në futbollin evropian.

Paga e tij është rritur në 350.000 paund në javë, gjë që e bën atë më të paguarin në skuadër dhe të tretin në Premier League. Kontrata e Salah përfundonte më 30 qershor 2023 dhe rinovimi i saj kishte ngecur muajt e fundit, pasi klubi anglez nuk i plotësoi kërkesat financiare të futbollistit.

Më në fund, Liverpool ka vendosur që paratë nga shitja e Mané t’i investojë në mbajtjen e "Faraonit". Në pesë sezonet te Liverpool, egjiptiani ka fituar një Ligë të Kampionëve, një Premier League, një Superkupë Evropiane, një Botëror për Klube, një Kupë të Ligës dhe një "FA Cup".

Po kështu, sulmuesi ka fituar "The Best" i Premier League në tri raste, duke thyer rekordin e golave në këtë kampionat, në vitin 2018, me 32 gola. "Ndihem mirë dhe jam shumë i emocionuar, shpresoj të fitoj trofe të tjerë me klubin. Është një ditë shumë e lumtur për të gjithë. U desh pak kohë për të rinovuar, por tashmë i kemi përmbyllur negociatat me sukses", – tha Salah.

Pas humbjes së një prej anëtarëve të tridentit ‘MFS’ (Mané-Salah-Firmino), ish-lojtari i Romës do ta ndajë sulmin e "Reds" me Darwin Núñez, nënshkrimin e madh të Liverpool-it në këtë merkato verore.

"Mendoj se jemi në një moment të mirë për të luftuar për gjithçka. Kemi përforcime të reja dhe thjesht duhet të vazhdojmë të punojmë shumë, të jemi pozitivë dhe të luajmë për gjithçka", – shpjegoi egjiptiani.

Rinovimi i Salah është lajm i madh për skuadrën e Klopp, që vazhdon të besojë në shtyllën kurrizore të projektit. Që nga viti 2020, ‘të kuqtë’ kanë rinovuar me Alisson, Fabinho, Henderson, Van Dijk, Alexander-Arnold, Robertson dhe i fundit, egjiptiani.