Transmetuar më 01-07-2022, 16:52

Tiranë- Raporti i Kryeministrit Rama me gazetarët është i njohur. Ai e ka cilësuar median si ‘kazan’.

Sot Rama ka futur në "riedukim" një tjetër gazetar, pasi ky i fundit e nervozoi duke i drejtuar një pyetje ministres Olta Xhaçka. Gazetari Klevin Muka pyeti ministren se a ka shkelur Kodin Etik të miratuar nga Këshilli i Ministrave që iu ndalon ministrave të takohen me biznesmenë dhe investitorë pa praninë e 2 punonjësve të Administratës. Pyetja iu bë ministres por ka ndërhyrë kryeministri i cili nuk ka pranuar që të japë përgjigje duke i thënë gazetarit që të vijë në tetor në konferencën e radhës.

Rama s’lejon ministrat të takohen me biznesmenët, po Olta Xhaçka si të veprojë?

Diskutimi me Ramën:

Gazetari Klevin Muka: Më 29 prill ka hyrë në fuqi Kodi i ri Etik i Ministrave. Ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë, dhe duhet të takohen vetëm në kushtet e pranisë së 2 punonjësve të administratës. A e keni shkelur ju Kodin?

Edi Rama: Do të kalosh në riedukim si Ambrozia dhe për 3 muajtë e ardhshëm nuk jeni i mirëpritur në takimet tona dhe konferencat.

Klevin Muka: Se kuptoj, a e keni vendosur vetë ju Kodin Etik?

Edi Rama: Siç pe, me Ambrozian korrektësia ishte dhe për pyetje të përsëritura pa asnjë kuptim do të kesh një riedukim për 3 muaj që i bie korrik, gusht, shtator. Në tetor eja dhe je i mirëpritur, sepse e para në Kodin Etik të gazetarit dhe të Konferencës ka një normë që quhet respekt.

Disa muaj më parë, kryeministri shpalli të padëshiruar gazetaren Ambrozia Meta.