Transmetuar më 01-07-2022, 16:39

Peshkopi- Një aksident u raportua më 26 qershor në lagjen ‘Kamen’ Peshkopi.

N.B. 60 vjeç, u paraqit në spital me traumë të rëndë në kokë e më pas ai vdiq.

Për rastin u tha se ai ra aksidentalisht gjatë hedhjes nga një mjet i shtetasit E.T.

Nga hetimet e thelluara policia zbuloi se në këtë rast kishte të bënte me një vrasje.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i O.T., 53 vjeç, banues në fshatin Shimçan, Dibër, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. T., 48 vjeç, L. K., 52 vjeç dhe A.T., 63 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

O. T. dhe 3 personat e tjerë të proceduar në gjendje të lirë, në datën 26.06.2022, deklaruan se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale, sepse shtetasi N. B., 60 vjeç, duke zbritur nga automjeti i parkuar i shtetasit E. T., ishte rrëzuar aksidentalisht dhe për pasojë ishte dëmtuar në kokë.

Më pas, në bazë të dyshimeve të krijuara për rrethanat e kësaj ngjarjeje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, u bë regjistrimi i procedimit penal për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Në përfundim të veprimeve hetimore është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi O. T. ka shtyrë shtetasin N. B., i cili është rrëzuar në tokë, duke marrë dëmtime të rënda, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, mbrëmjen e datës 28.06.2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.