Transmetuar më 02-07-2022, 07:41

Vijon “jehona” e festës së titullit pas 11 vitesh te Milani. Në fakt, këto janë masa ndaj disa lojtarëve kuqezinj, të cilët kishin vendosur pankarta dhe këndonin kore kundër kolegëve të Interit.

Kujtojmë se autobusi i hapur kaloi për në “Piazza Duomo” i rrethuar nga qindra e mijëra tifozë të lumtur për rikthimin e titullit të munguar prej 11 vitesh.

Nëse Zlatan Ibrahimovic i kishte nxitur tifozët të këndonin kundër ish-bashkëlojtarit të tij Calhanoglu, ajo që u përfol më shumë ishte një pankartë e shfaqur nga disa lojtarë në bordin e autobusit.

Në fund, u arrit një marrëveshje për pranimin e fajësisë, siç shpjegon FIGC: “Katër lojtarë të Milanit (Theo Hernandez, Krunic, Maignan dhe Tonali) u sanksionuan për shkelje të nenit 4, paragrafi 1, të Kodit të Drejtësisë Sportive me sjelljet e tyre gjatë festimeve për fitoren e kampionatit të Serie A.

Krunic u dënua me 5000 euro gjobë, ndërsa Theo Hernandez, Maignan dhe Tonali me nga 4000 euro. Milani u sanksionua gjithashtu për përgjegjësitë si klub me një gjobë prej 12.000 euro”.

Ja arsyet e gjobave: “Hernandez dhe Krunic kënduan kore fyese kundër Interit dhe tifozëve të tyre, si dhe shfaqën një pankartë me përmbajtje pa mëdyshje aluduese dhe për rrjedhojë mosrespektuese e ofenduese ndaj Interit.

Maignan u shpall fajtor vetëm për banderolën, ndërsa Tonali u sanksionua pasi kishte veshur një fanellë me një fjali shumë fyese dhe vulgare kundër Interit dhe tifozëve të tij”.