Transmetuar më 01-07-2022, 08:55

Pritja më në fund ka marrë fund. Pak minuta pas skadimit të kontratave aktuale, Paolo Maldini dhe Frederic Massara kanë nënshkruar rinovimin me Milanin dhe për këtë arsye do të vazhdojnë të kryejnë rolet e tyre përkatëse deri në vitin 2024.

“Tymi i bardhë”, me pak fjalë, ka mbërritur, duke fshirë hutimet e këtyre ditëve, bashkë me zgjidhjen, të paktën në letër, e një sërë problemesh që kishin vënë në dyshim të ardhmen e zonës teknike kuqezi.

Drafti i fundit i kontratës i rishikuar nga Elliott dhe Red Bird mbi bazën e kërkesave të Maldinit ishte vendimtar. Njoftimi zyrtar i klubit do të arrijë të premten në mëngjes.

Pasi ka zgjidhur nyjën e drejtorit të zonës teknike dhe drejtorit sportiv, Milani mund të nisë merkaton, duke u përpjekur t’i garantojë Stefano Piolit përforcimet e nevojshme për të qenë konkurrues si në Serie A, ashtu edhe në Champions League.

Vetë Paolo Maldini, i “përgjuar” nga gazetarët në dalje nga “Casa Milan”, pas një dite të gjatë negociatash, nuk e fshehu kënaqësinë: “Gjithçka është në rregull. Më në fund, rinovimi ka ardhur. Jemi të lumtur për sezonin e kaluar dhe se mund të planifikojmë një Milan fitues. Si do të jetë Milani i ri? Do të shohim, jemi pak vonë, por do t’i arrijmë objektivat. Jam i lumtur, edhe nëse nuk e demonstroj lehtë diçka të tillë”.

Maldini ka firmosur kontratën e tij në seli, ndërsa Massara do të nënshkruajë nga Rimini ku ndodhet për takimin hapës të merkatos.