Transmetuar më 01-07-2022, 07:44

Kristjan Asllani është lojtar i ri i Interit, mungon vetëm statusi zyrtar i marrëveshjes së mbyllur në çdo detaj. Mesfushori i lindur në vitin 2002 kreu dje vizitat mjekësore, pastaj u largua nga selia zikaltër në "Viale della Liberazione", pasi firmosi kontratën që do ta lidhë atë me Interin.

Shqiptari vjen nga Empoli në formë huazimi, me detyrim blerjeje. Operacioni është i tillë: 4 milionë euro për huazimin, 10 milionë për blerjen përfundimtare dhe 4 milionë bonuse.

Transferimi i tij është mirëpritur nga ana e tifozëve zikaltër, të cilët ishin të pranishëm pranë zyrave të klubit për të parë nga afër talentin shqiptar. Mesfushori 20-vjeçar ka dalë jashtë për t’i përshëndetur ultrasit e “Curva Nord“, të cilët e kanë duartrokitur dhe brohoritur emrin e tij.

Natyrisht, nuk kanë munguar as ngacmimet nga e kaluara. “Çfarë goli që ke bërë“, – dëgjohet të thotë njëri prej tifozëve, i cili i referohet golit që Kristjan Asllani, që e shënoi ndaj Interit në kampionat.

“Nuk duhet të na kishe shënuar“, – ishte një tjetër batutë e njërit prej tifozëve të pranishëm. Megjithatë, gjithçka ka qenë në kuadrin e shakave, teksa tifozëria zikaltër ka përkrahur transferimin e lojtarit shqiptar në Milano.