Transmetuar më 30-06-2022, 12:10

Formula 1 lëshoi ​​një deklaratë pasi ish-shefi ekzekutiv i saj e përshkroi Putinin si "të arsyeshëm" dhe "një person të klasit të parë", "besonte se po bënte gjënë e duhur për Rusinë”, ndaj do të pranonte ta merrte ai një plumb në vend të presidentit rus.

Duke folur për “Good Morning Britain” të enjten në mëngjes, Ecclestone tha: "Për fat të keq ai është si shumë njerëz të biznesit, sigurisht si unë. Ne bëjmë gabime herë pas here. Dhe kur ju bëni gabim, duhet të bëni më të mirën për të dalë dalë prej tij”.

Një zëdhënës i Formula 1 tha: "Komentet e bëra nga Bernie Ecclestone janë pikëpamjet e tij personale, në kontrast shumë të fortë me pozicionin e vlerave moderne të sportit tonë".

Biznesmeni miliarder 91-vjeçar kritikoi gjithashtu liderin ukrainas Volodymyr Zelensky se nuk bëri përpjekje të mjaftueshme për të kontaktuar kolegun e tij rus: "Personi tjetër në Ukrainë? Profesionin e tij unë e kuptoj, ka qenë një komedian. Unë mendoj se ai dëshiron ta vazhdojë atë profesion…

Nëse do të kishte menduar për gjërat, patjetër do të kishte bërë një përpjekje mjaft të madhe për të folur me Putinin, i cili është një person i arsyeshëm. Do ta kishte dëgjuar atë dhe ndoshta mund të kishte bërë diçka për këtë".

Kur u vu në dukje se pushtimi rus i Ukrainës kishte marrë jetën e mijëra njerëzve të pafajshëm, Ecclestone thjesht u përgjigj: "Nuk ishte pushtim i qëllimshëm".

Dhe kur u pyet nëse “Zelenskyy duhej të kishte bërë më shumë për të shmangur luftën”, manjati i automobilizmit tha: "Absolutisht. Jam shumë i sigurt se Ukraina, nëse do të donte të dilte nga kjo situatë siç duhet, mund të kishte bërë më shumë”.

Ecclestone tha se nuk kishte folur me "mikun" e tij që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, por nënvizoi: "Jam absolutisht i sigurt se ai tani do të donte të mos e kishte filluar të gjithë këtë ofensivë, por nuk e filloi si një luftë".

Ai kritikoi gjithashtu ndalimin e sportistëve rusë si përgjigje ndaj ndërhyrjes ushtarake të Moskës. I pyetur nëse Çmimi i Madh i Rusisë duhet të hiqet nga kalendari i Formula 1 dhe ndalimi i pilotëve rusë, Ecclestone tha:

"Unë nuk jam në pozicionin që të bëj dot asgjë për këtë. Nuk jam i sigurt se do ta kisha ndaluar këtë, sigurisht që tani nuk do ta bëja. Mendoj se është e gabuar të ndalohen sportistët rusë, duke përfshirë padyshim pilotët, që të marrin pjesë në sportin e tyre.

Ata nuk u përfshinë në këtë luftë në vetë të parë. Po vuajnë pasojat, nuk duhet të ndëshkohen".