Transmetuar më 30-06-2022, 08:34

Romelu Lukaku është gati të nisë eksperiencën e dytë me fanellën e Interit. Pas një dite të gjatë që nisi dje në agim, me ardhjen në Linate dhe ekzaminimet e zakonshme mjekësore, sulmuesi u kthye zyrtarisht tek Interi si huazim nga Chelsea. “Është një emocion i fortë, mendoj se ajo që kam përjetuar një vit më parë me këtë ekip ishte një histori e mirë”, – qenë fjalët e para të "Lukaku-bis" te zikaltrit.

I intervistuar nga "Inter TV", Lukaku premtoi më të mirën në këtë angazhim të ri me fanellën zikaltër: “Interi më ka dhënë shumë dhe tani shpresoj të bëj edhe më mirë se më parë. Tani ka ardhur koha të punojmë së bashku, duke shpresuar të bëjmë më mirë se më parë. Ne folëm për shumë gjëra me presidentin. Më dukej e pamundur të kthehesha këtu, por ia dolëm dhe për këtë duhet të falënderoj edhe atë që vazhdoi të shtynte dhe besonte se ishte e mundur. Jam vërtet i lumtur".

Gjatë intervistës së parë, pas kthimit tek Interi, Lukaku u betua mbi dashurinë për Milanon dhe fanellën zikaltër: "Është si të kthehesh në shtëpi. Unë dhe familja ime kaluam një kohë shumë të mirë në Milano falë njerëzve dhe tifozëve të Interit. Që në ditën e parë kur kam ardhur këtu, të gjithë më kanë ndihmuar shumë. Tani mezi pres t’i shoh djemtë përsëri në  fushë".

Pavarësisht distancës, Romelu Lukaku e ndoqi kampionatin e Interit nga Londra dhe fundi i sezonit, me titullin e munguar në ndeshjen e fundit, ishte zhgënjim edhe për të. "Big Rom", gjatë intervistës për televizionin zyrtar të zikaltërve, zbuloi se ishte i bindur te dashuria e tifozëve dhe dëshira për të punuar me Inzaghin:

"Kam qëndruar në kontakt me të gjatë gjithë sezonit të kaluar. Mendoj se trajneri po bën mirë me skuadrën. Dua të kontribuoj dhe të bëj mirë për këtë klub, dua shumë të punoj me të, sepse pashë skuadrën që luajti në nivele të shkëlqyera sezonin e kaluar. Më erdhi keq që nuk arritën të fitojnë titullin, por i rrëmbyen dy trofe shumë të rëndësishëm.

Shumë lojtarë kanë pasur rritje të rëndësishme, ne duhet të vazhdojmë kështu. Tani jemi në një pozicion për t’i sfiduar të gjithë të tjerët. Duam të përgatitemi mirë për sezonin e ri dhe të vazhdojmë rrugën e sukseseve".

Sulmuesi belg më pas zbuloi se kishte folur tashmë me shumë shokë të skuadrës: "I falënderoj të gjithë, sepse doja të kthehesha këtu, por edhe ata u përpoqën shumë për kthimin tim. Më duhet t’i falënderoj sepse jemi si një familje. Ata janë vëllezërit e mi”.

Për përvojën e re, Lukaku përsëriti më pas: "Unë nuk jam individualist, mendoj gjithmonë për ekipin. Dua të fitojë Interi: Do të bëj gjithçka që është e mundur si në stërvitje ashtu edhe në fushë për ta bërë Interin të fitojë. Jam i lumtur që jam kthyer këtu. Do të jap gjithçka çdo ditë për t’i bërë sërish të lumtur tifozët dhe shokët e skuadrës”.