Transmetuar më 29-06-2022, 14:01

Drejtuesit e Paris Saint-Germain kanë vendosur; duan që Neymar të largohet. Sipas asaj që është raportuar për ‘Rmc’, nga një burim i afërt me presidentin Al-Khelaifi, e më pas të publikuar nga ‘El Pais’ dhe ‘As’, tashmë ka pasur një takim mes drejtuesve të klubit parizien dhe babait të futbollistit, Neymar Senior.

Ky i fundit ka kërkuar pagesën e të gjitha shumave që i detyrohen sipas kontratës për t’i dhënë "dritën jeshile" zgjidhjes. Por kjo është një shifër që sipas ‘El Pais’ shkon afër 200 milionë euro dhe për këtë duhet kërkuar një zgjidhje alternative.

Kështu, PSG po punon për ta shitur lojtarin (i cili ditët e fundit i është ofruar Juventusit dhe Chelsea). Klubi parizien, për ta hequr qafe "O Ney" duket gati të paguajë gjysmën e pagës së brazilianit, edhe pse duke luajtur me një ekip tjetër.

Në bazë të këtij vendimi, i cili është marrë nga vetë Al Khelaifi, klubi ka vendosur të implementojë disiplinë më të madhe ndaj lojtarëve të tij. Klubit nuk i pëlqejnë disa sjellje të Neymar në fushë (madje edhe në stërvitje, siç do t’ua kishte vënë në dukje drejtuesve Kylian Mbappé) dhe jashtë.

Drejtori i ri ekzekutiv Luis Campos ka qenë në krye të çështjes së Neymar, pra për ta shitur atë. PSG, sipas asaj që shkruan ‘Le Parisien’ ka një objektiv tjetër primar për sulmin. Duke thënë se Mauro Icardi do të largohet nga Parisi, për ta zëvendësuar, Campos dëshiron Gianluca Scamacca.

Në ditët në vijim Sassuolo do të marrë një ofertë nga Parisi, e cila megjithatë nuk duhet të jetë më pak se 40 milionë euro të kërkuara nga emilianët për qendërsulmuesin e tyre.