Transmetuar më 29-06-2022, 13:00

E habitshme, por e vërtetë. Personi që aksidentoi çiftin me fëmijën 3-muajshe të vijat e bardha në Rrugën e Kavajës ka qëndruar në burg po aq sa “viktimat” e tij në spital, duke luftuar për t‘i shpëtuar vdekjes.

Kjo është drejtësia shqiptare, madje e rilindur me reformën e famshme kaq të përfolur. Ditën e sotme, Gjykata e Tiranës e ka dërguar në “arrest shtëpie” Ajas Sulejmanin, drejtuesin e mjetit që përplasi disa javë më parë çiftin "Konomi" dhe vajzën e tyre 3-muajshe te vijat e bardha.

Një hap i ndërmjetëm i drejtësisë për ta liruar përfundimisht, pasi të shuhet irritimi i qytetarëve për atë që ju panë sytë. Mësohet se në argumentimin e gjykatës për zbutjen e masës së sigurisë së Sulejmanit është përdorur fakti se 39-vjeçari ishte baba i tre fëmijëve të mitur.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë, që shokoi krejt kryeqytetasit, ndodhi mesditën e 8 majit. Vilma dhe Arian Konomi (mjeke dhe drejtor në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve), si dhe foshnja e tyre 3-muajshe, që ndodhej në një karrocë, duke kaluar vijat e bardha u lënduan nga aksidenti.

Ndërkohë, pas aksidentit Sulejmani u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes për t’u vetëdorëzuar pasi telefonoi policinë se ndodhej në një spital privat. Policia tha se ai ishte nën efektin e narkotikëve në timon, kështu rezultoi në testin përkatës.

Në seancën gjyqësore të radhës, "togat e zeza" të kryeqytetit pranuan kërkesën e avokatit të Sulejmanit për masë më të butë sigurie, edhe për shkak të normalizimit të mardhënieve mes palëve.