Transmetuar më 29-06-2022, 09:11

Përpara së bashku. Patjeter që po. Me përjashtim të një kthese të bujshme, partneriteti mes Milanit dhe Zlatan Ibrahimovic është i destinuar të zgjatet edhe për një sezon tjetër.

Siç raporton “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi suedez, të cilit i skadon kontrata për pak ditë, është gati të nënshkruajë marrëveshjen e re, që do ta lidhë me “Djallin” deri në fund të sezonit të ardhshëm, pra qershor 2023.

Pasi veshi fanellën e kuqezinjve nga viti 2010 deri më 2012, përpara se të rikthehej në Milano në janar të vitit 2020, Ibra ka të ngjarë ta përfundojë karrierën e tij me skuadrën kuqezi, me të cilën sapo fitoi titullin.

Milani, nga ana e tij, është gati të hartojë një kontratë “ad hoc” për liderin e vet skandinav. Ajo fillon me një pagë fikse, së cilës më pas mund t’i shtohen bonuset e lidhura me pjesëmarrjen (aktivizimin) dhe golat e shënuar në nivel ekipi.

Ibrahimovic, ndërkohë, po vijon fazën e rikuperimit pas operacionit në gju, të kryer në maj. Një operacion që do ta mbajë atë në “infermieri” për një kohë mjaft të gjatë, të matshme në rreth 7-8 muaj. Një pengesë që megjithatë nuk do ta ndalë rrugën e rinovimit.