Transmetuar më 28-06-2022, 23:17

Ditët kalojnë dhe mësohen detaje të reja nga ngjarja e vrasjes së Martin Çeços në Maliq. ‘Molla e sherrit’ mendohet se u bë Tina Pajollari, 18 vjeçe.

Nëna e saj mohon që e bija të ketë pasur lidhje me Valter Mollajn, një nga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së të riut Çeço, ngjarje e ndodhur më 16 Qershor në fshatin Kolanec të Maliqit.

Sipas saj, vajza, Tina nuk ka patur raporte intime me Valter Mollajn, por familja Mollaj i ndihmonte shpesh.

“Po ne kemi me vite këtu ore se e kemi banor. Ai na bie drutë, kemi ngrënë e kemi vajtje ardhje”- është shrehur Miranda Pajollari.

Policia deklaroi menjëherë pas arrestimit të 3 autorëve se shkak i vrasjes së Martinit ka qenë sherri për një vajzë, që kjo vajzë dyshohet të jetë pikërisht Tina Pajollari, me të cilën kishte filluar të fliste i ndjeri në rrjetet sociale.

Policia dhe në media u tha se ishte Valter Mollaj i cili dyshohet se kishte lidhje jashtëmartesore me Tina Pajollarin, një vajzë 18-vjeçare. Të dy jetojnë në fshatin Marjan të Korçës dhe shtëpitë e tyre janë vetëm pak metra larg.

Tina Pajollari punonte në stanin e Valter Mollajt duke nxjerrë bagëtitë.

Gazetari: Prej sa kohësh ishte i lidhur Valteri me vajzën tuaj?

Miranda Pajollari: Valteri është i martuar, kot kanë thënë për vajzën që ka 5 vjet i dashuruar me atë.

Gazetari: Po sa?

Miranda Pajollari: Po ai është i martuar, ka 3 fëmijë.

Gazetari: Sa kohë kishte kontakte me vajzën tuaj?

Miranda Pajollari: Po ne kemi me vite këtu ore se e kemi banor. Ai na bie drutë, kemi ngrënë e kemi vajtje ardhje.