Transmetuar më 27-06-2022, 21:04

Greqi- Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në një familje greke. Një grua 72-vjeçare dhe djali i saj 50-vjeçar u nxorën pasditen e sotme nga një makinë që ra në det, në Neoi Epivates të Selanikut.

Policët treguan se nënë e bir ishin të përqafuar me njëri-tjetrin pranë timonit të makinës. Përveç kësaj, ata kanë ngarkuar në pjesën e pasme të makinës thasë të mbushur me rërë që mbytja e mjetit të ishte e sigurt.

Pas tragjedisë së ndodhur sot, qëndron një dramë e patreguar. Dy vite më parë, vëllai i 50-vjeçarit dhe djali i 72-vjeçares, i kishte dhënë fund jetës. Menjëherë pas vdekjes së të birit, duke mos e duruar dhimbjen, ka ndërruar jetë babai. Sot, nënë e bir vendosën të shkruanin epilogun e kësaj drame familjare. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, në trupat e dy personave nuk ka shenja dhune.

Ngjarja tragjike ka ndodhur pas orës 14:00 në Neos Epivates. Sipas dëshmitarëve okularë, makina, teksa po lëvizte në rrugën bregdetare, ka ndaluar për pak kohë dhe më pas drejtuesi i mjetit ka shtypur gazin dhe e ka hedhur në det.

Efektivët e Rojës Bregdetare, EMAK, Policisë dhe Zjarrfikësve, të mbërritur në vendngjarje, kanë nisur një aksion për lirimin e personave dhe nxjerrjen e makinës nga fundi i detit. Por për ata nuk kishte asnjë shenjë jete. https://www.ekathimerini.com/news