Transmetuar më 27-06-2022, 16:22

Kampioni i Honda-s, Marc Márquez, ka shpërndarë sot në rrjetet e tij sociale një foto që tregon shtrirjen e madhe të operacionit që ka bërë në krah. Një operacion që pritet të jetë i fundit për të zgjidhur problemin që sportisti kishte në krah, qysh nga rrëzimi në Jerez, më 2020.

Pra, ka një lajm pozitiv që vjen nga kampi i Honda-s në lidhje me procesin e rikuperimit të Marc Marquez. Sipas shefit të ekipit, Alberto Puig, piloti i “Repsol Honda” është në humor të lartë, ndërsa po përparon pas operacionit të katërt në “humerus”-in e tij të djathtë problematik.

Megjithëse mungon në Çmimin e Madh të “Liqui Moly Motorrad Deutschland”, tetë herë kampioni i botës është ende në mendjet e shumë njerëzve, gjë që nuk është befasuese. Raportet fillestare nga kampi i HRC ishin pozitive pas operacionit të tij. Menaxheri i ekipit të “Repsol Honda” përditësoi situatën gjatë FP3 në Gjermani:

“Së pari është i lumtur, sepse po ndihet mirë. Së shpejti do të bëjë disa kontrolle te mjekët. Ai ka filluar ta lëvizë dorën. Herën e fundit që fola me të në telefon e ndjeva se ishte shumë i motivuar, entuziast, me humor të mirë".

Më vonë, gjatë ditës, nga skuadra e “Repsol Honda” u përhap lajmi se kampioni i tyre ka bërë kontrollin e tij të parë që nga operacioni. Marquez u ekzaminua në Spitalin “Ruber Internacional” të Madridit nga një ekip mjekësor i përbërë nga Dr. Joaquín Sánchez Sotelo, Dr. Samuel Antuña dhe Dr. Ángel Cotorro. Vlerësimi ishte pozitiv.

“Sot kam bërë një kontroll mjekësor në Madrid dhe mjekët janë të lumtur, – tha ai. – Krahu im është i imobilizuar dhe kështu do të jetë për javët e ardhshme. Ndjenjat e mia deri tani janë pozitive, sepse nuk kam dhimbje, gjë mjaft e rëndësishme.

Kjo më lejon të pushoj dhe të ndjek rregullat e mjekëve: një dietë të shëndetshme, pi shumë lëngje dhe dal shëtitje me qentë. Është e rëndësishme që trupi të mos jetë joaktiv. Gjëja më e rëndësishme që më thonë mjekët është se tani duhet të jem i qetë dhe i duruar”.