Transmetuar më 27-06-2022, 12:51

Rey Manaj ka qenë i huazuar sezonin e fundit te Spezia, skuadra e Serie A. Klubi italian nuk është në gjendje ta ekzekutojë opsionin e blerjes të vendosur në 2.7 milionë euro dhe për rrjedhojë, sulmuesi shqiptar do të rikthehet në radhët e Barçës pasi ka luajtur 30 ndeshje në Serie A dhe ka shënuar 5 gola, duke spikatur më shumë për lojën sesa për aftësinë e tij golashënuese.

Një javë para rikthimit në stërvitje, situata është e qartë. Klubi katalanas dhe lojtari kanë interes, por jo oferta tunduese. Nëse nuk do të ndryshojë gjë këto ditë, lojtari, i cili ishte golashënuesi më i mirë në parasezonalin e kaluar te Barcelona me 4 gola në 117 minuta, atëherë do të vihet nën urdhrat e trajnerit Xavi më 4 korrik. Mediat thonë se ka skuadra të interesuara për shqiptarin nga Spanja dhe Seria A.

Kontaktet mes përfaqësuesit të lojtarit dhe klubit janë të vazhdueshme, kanë një skenar shumë të përcaktuar për të ardhmen e shqiptarit, njërit nga zbulimet e mëdha të Barçës në parasezonin e kaluar. Rey Manaj, me kontratë deri në fund të vitit 2023, e ka të qartë se në këtë pikë nuk do të ketë një sezon të dytë me Spezia. Klauzolën nuk do ta negociojnë dhe vënë në zbatim italianët.

Si Barça, ashtu edhe lojtari po i mendojnë të gjitha formulat. Gjasat janë të shkohet në huazim, me opsion blerjeje të detyrueshme, edhe pse Manaj është në vitin e fundit të kontratës. Spezia ka paguar tashmë 300 mijë euro për huazimin e sulmuesit gjatë sezonit 2021-2022.

Rey Manaj është i vetëdijshëm për vështirësitë e gjetjes së hapësirës në skuadrën e Xavit, pavarësisht “rekordit” parasezonal të verës së kaluar, por gjithashtu ka besim te shanset e tij dhe se mund ta bindë trajnerin katalanas. Barça pagoi 700.000 euro për ta marrë sulmuesin nga Albacete, kur Manaj nënshkroi në janar 2020 për “filialin”.