Transmetuar më 27-06-2022, 04:37

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali me pasojë jetën e 2 personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve, mes të cilëve dhe një fëmijë.

Sipas Corriere della Serra, një makinë ka udhëtuar 5 kilometra në drejtimin e kundërt të lëvizjes në rrugën mes Gropello Cairoli dhe Casei Gerola në momentin që u përplas me një tjetër automjet.

Përplasja mes dy mjeteve rezultoi fatale për drejtuesin e automjetit që po lëvizte në sensin e kundërt, Giuseppe Maria Garavaglia dhe 35-vjeçaren shqiptare Matilda Hidri drejtuese e mjetit tjetër.

Pesë makina u përfshinë në aksident, dhe 3 persona mbetën të plagosur, mes tyre dhe një fëmijë 4 vjeç.

Një prej dëshmitarëve të ngjarjes fatale ka rrëfyer momentin kur ndodhi aksidenti:

“Pashë një makinë që lëvizte në drejtim të gabuar në autostradë. Ai po udhëtonte me shpejtësi të madhe në drejtim të kundërt në korsinë që zakonisht përdoret për parakalim.

Më duhej të shihja dy herë në pasqyrën e pasme për të bindur veten se ajo që kisha parë ishte e gjitha e vërtetë. Pas pak minutash ndodhi e pashmangshmja. Këmbët më dridhen ende. Unë mund të kisha qenë në mesin e viktimave. Ishte thjesht çështje kohe”, rrëfeu ai.