Transmetuar më 27-06-2022, 09:23

Shkodër- Kanosje me armë zjarri për motive pronësie në Shkodër. Pas marrjes së njoftimit, policia ka organizuar operacioni policor e koduar “Prevention”, për parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti.

Si rezultat i këtij operacioni është bërë arrestimi në flagrancë i Samet Kuka 29 vjeç, banues në fshatin Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe.

Ky shtetas, pasi është konfliktuar për motive pronësie, me xhaxhain e tij, shtetasin Sh. K., 64 vjeç, e ka kanosur atë duke qëlluar në ajër me armë zjarri automatik.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë 29-vjeçarin, duke parandaluar kështu përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Gjatë kontrollit të zonës, në vendin e quajtur “Grop Kuqe Bracaj” të fshatit Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër Samet Kuka.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.