Transmetuar më 27-06-2022, 02:18

Shanghai: Dy të vrarë nga rrëzimi i çuditshëm i makinës elektrike Nio nga kati i 3-të i një ndërtese. Komente plot zemërim në rrjetet sociale për njoftimin e kompanisë që donte të përjashtonte një problem me makinën

Dy të vdekur nga rrëzimi i çuditshëm i makinës elektrike Nio nga kati i 3-të i një pallati në Shangai, Kinë.

Prodhuesi kinez i makinave elektrike Nio tha se dy persona u vranë kur një nga automjetet e saj ra nga kati i tretë i selisë së saj në Shangai.

Në aksident humbën jetën një punonjës dhe një person nga një kompani partnere.

Incidenti ndodhi javën që lamë pas. Personat që humbën jetën ndodheshin brenda automjetit teksa ai ra nga pallati. Nio tha se nisi menjëherë një hetim për incidentin, në bashkëpunim me zyrtarë qeveritarë.

Kati i tretë i pallatit nga i cili ka rënë makina është caktuar si sallë ekspozite, objekt testimi apo parking.

"Kompania bashkëpunoi me departamentin e sigurisë publike për të filluar hetimin dhe analizën e shkaqeve të aksidentit. Në bazë të analizës së situatës në vendngjarje, fillimisht mund të konfirmojmë se ka qenë një aksident jo i shkaktuar nga automjeti”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Deklarata e Nios në Weibo tërhoqi më shumë se një mijë komente negative në 30 minuta, por më vonë u hoq.

Mes komentuesve, njëri prej tyre, sipas BBC që citon noa.al, tha se deklarata "tregon gjakftohtësinë dhe cinizmin e kapitalizmit", ndërsa një tjetër tha se "fjalia e fundit është kaq indiferente".

"Shoferët testues erdhën për të testuar automjetin, por ju thoni se aksidenti nuk ka lidhje me automjetin?", pyet plot zemërim një qytetar.

Një përdorues tjetër i Weibo tha se "zyra e sigurisë publike duhet të konfirmojë nëse është aksident apo jo".

Prodhuesi i makinave lëshoi ​​më pas një deklaratë të re e cila ende i referohet një aksidenti, por tani shprehja "jo e shkaktuar nga automjeti" është në kllapa me sa duket për të mos theksuar këtë pjesë të fjalisë.

Të gjitha komentet në postimin e ri tani janë "RIP".

Nio është në ballë të përpjekjeve të brendshme të Kinës për të dominuar industrinë e automjeteve elektrike. Ajo ka vënë shumë bast për bateritë e rikarikueshme në makinat e saj, si një mënyrë për të kapërcyer shqetësimet e klientëve për karikimin e shpeshtë.

Kompania nganjëherë përmendet si "vrasësi i Teslës", në një referencë për konkurrencën e saj me prodhuesin e makinave elektrike të multimiliarderit Elon Musk, me qendër në SHBA, i cili ka një fabrikë të madhe prodhuese në Shangai. /noa.al