Transmetuar më 26-06-2022, 20:23

Tiranë – Dhe kjo nuk ishte parë e dëgjuar më parë! Kërcënohet me jetë në TikTok mësuesja e testit të Biologjisë.

Fotoja me emrin, mbiemrin e pozicionin e saj është shpërndarë në rrjete sociale me thirrjet ‘Le ta vrasim’!

Mjaft maturantë kishin zgjedhur biologjinë mes 11 programeve në listën e lëndëve me zgjedhje. Dhe inatin dhe pakënaqësitë për pyetjet që pretendojnë se janë jashtë programit, i kanë shprehur me mllefe online.

Mësohet se Ministria e Arsimit është sinjalizuar për përmbajtjen e videos të publikuar në TikTok apo Instagram.

Ministrja e Arsimit, me një status në Facebook, shkruante se i ka ndjekur me vëmendje shqetësimet e maturantëve e se po vlerësohej sërish cilësia e testit. Ndërkohë të hënën maturantët kanë njoftuar për protestë.

Çfarë ka ndodhur me testin e Biologjisë

Në përfundim të gjitha provimeve të Maturës, nxënësit kanë shfaqur kritika për mënyrën sesi është hartuar teza e Biologjisë, lëndës me zgjedhje. Ata janë shprehur se kjo tezë ka përmbajtur shume pyetje të vështira dhe nuk janë hartuar sipas një vije logjike.

Ministria e Arsimit ka reaguar duke sqaruar se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndërkohë që ka publikuar edhe skemën e vlerësimit.

Korrigjimet e testeve do të bëhen brenda një kohe të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar, ditët e para të korrikut.