Transmetuar më 25-06-2022, 11:23

Dje, Lionel Messi kishte 35-vjetorin e lindjes. Ai festoi me familjen, i ndodhur me pushime në Ibiza. Në këtë ditë të shënuar të shtatë herë fituesit të “Topit të Artë” morën pjesë edhe disa bashkëlojtarë të tij në kombëtaren argjentinase, me partneret e tyre. Një mega “party” në Ibiza, shumë kampionë në ditëlindjen e Leos.

Nga Tucu Correa te Lautaro, nga Paredes te De Paul, nga Papu Gomez te Di Maria: të gjithë shokët e kombëtares argjentinase ishin atje për të festuar 35-vjetorin e Messit.

Po kështu Cesc Fabregas me partneren, teksa po kalojnë pushimet e kësaj vere së bashku dy çiftet me fëmijët. Miku i ngushtë i “Pleshtit”, Luis Suarez nuk mund të mungonte.

Ylli argjentinasi po reflekton për një sezon të gjatë dhe plot ngjarje, që e pa atë të largohej nga Barcelona për te PSG dhe të udhihqte Argjentinën drejt fitores së “Finalissima” ndaj Italisë.

Messi nuk pati një sezon fort të keq në nivel klubi, por ishte në rënie nga standardet që ne jemi mësuar ta shohim atë gjatë gjithë karrierës historike. Ai kontribuoi me 11 gola dhe 15 asiste në 34 ndeshje të luajtura, në të gjitha garat për PSG-në.

Messi fitoi titullin e Ligue 1, por, më e rëndësishmja, dështoi në Ligën e Kampionëve, duke humbur ndaj Real Madridit. Messi do të shpresojë të kryesojë një fushatë më mbresëlënëse sezonin e ardhshëm në “Parc des Princes” dhe ta ndihmojë PSG-në të fitojë Champions-in e parë në historinë e kampionëve francezë, si dhe të parin për vete nga viti 2015.

Por më e rëndësishmja për të do të jetë udhëheqja e kombëtares së Argjentinës drejt lavdisë në Botërorin e Katarit. Albiceleste do të jenë mes favoritëve për kompeticionin që do të zhvillohet në nëntor-dhjetor të këtij vitit në Lindjen e Mesme.