Transmetuar më 24-06-2022, 12:51

Itali- Një çift shqiptarësh nga Kosova janë arrestuar nga policia italiane pasi akuzohen se ishin trajnuar që të kryenin një sulm terrorist në Itali.

Burri dhe gruaja, dyshohet se janë trajnuar nga xhihadistët për të kryer sulmin përmes shpërthimit në emër të organizatës terroriste “Shteti Islamik” (ISIS).

Për këtë arsye, më 15 qershor karabinierët lëshuan një urdhër ndalimi, ndaj dy të dyshuarve.

Dy të rinjtë, të lindur në Itali nga familje me origjinë kosovare, të angazhuar në kontekstin social, të punës dhe studimit, prej kohësh i ishin futur rrugës së radikalizimit nga propaganda xhihadiste në internet.

Pas kryerjes së sulmit, të dy duhej të udhëtonin në Afrikë për t’iu bashkuar organizatës terroriste.

Gjatë operacionit u kryen një sërë kontrollesh të cilat bënë të mundur sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike dhe produkteve kimike, prekursorë për prodhimin e mjeteve shpërthyese, të dorëzuara në Grupin e Hetimeve Shkencore për hetime teknike.