Transmetuar më 22-06-2022, 21:25

Tiranë – Hapja e Kopshtit Zoologjik në Tiranë u reklamua si diçka që i kishte munguar kryeqytetit. madje mbarë vendit.

Qeveria dhe bashkia e pompuan fushatën promovuese kudo, por kur njerëzit e panë nga afër, u zhgënjyen shumë.

Ata konstatuan se kishte katër gjëra të reja, ishin pakësuar kafshët, ishin shtuar lokalet brenda kopshtit dhe ishte trefishuar çmimi i biletës.

Shumë njerëz u shprehën të çuditur edhe me faktin që në atë që tani quhet Tirana Zoo Park, dominonin nja tre dinosaurë plastikë që ishin në qendër të kopshtit dhe ishin i vetmi argëtim për fëmijët.

Sa për kafshët, ato tek tuk që gjendeshin, veç ariut, të tjerët thuajse nuk shiheshin sepse përpiqeshin të kapnim ndonjë hije nën diellin zhuritës.

Duke qenë se më viral në rrjet u bë pretendimi i disa njerëzve se tigri që panë aty nuk kishte dhëmbë, Monika Lubonja u zhyt në PR kur u ndal pikërisht te kjo, për ta mohuar, pa u marrë me problemet e renditura më lart.

Drejtoresha e Kopshtit Zoologjik, Monika Lubonja: "Tigri pa dhëmbë? E kemi të vogël, ta lëmë që t’i dalin kicat. Hajdeni, shiheni nga afër që pastaj të shihni dhe dhëmbët, deklaroi Lubonja.