Transmetuar më 22-06-2022, 15:14

Kosovë- Një episod i pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës. Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, teksa i është drejtuar foltores në parlament, në dorë mbante disa kokrra vezë të cilat ia ofroi ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Akti i deputetes në fakt e kishte një domethënie. Ajo tha se me atë vezë duhet të gjuhej kryeministri Albin Kurti për nënshkrimin e marrëveshjes për energjinë me Serbinë, por që nuk e bëri.

Deputetja tha se po e bën këtë veprim për të kujtuar se si Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë marrëveshje që ishte nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa në vitin 2015, duke gjuajtur me vezë drejt kabinetit qeverisës të asaj kohe.

“Si po ju duket vetja sot? Unë s’po ju quaj tradhtar, sepse është fjalë e papërgjegjshme. As me vezë s’po ju gjuaj, por po ju pyes a turpëroheni? Albulena po te pyes edhe ty, sepse e ke pas rolin me gjuajt vezë, po ta dhuroj një vezë e drejtoja kryeministrit tënd mashtrues, sepse ne tradhtarët e djeshëm dolëm sot faqebardhë”, tha Dumoshi.