Transmetuar më 22-06-2022, 08:18

SERBI- Dje, Kryeministri shqiptar Edi Rama, njoftoi në rrjete sociale se nuk do merrte pjesë në Samitin e BE për Ballkanin Perëndimor.

Sot pritet të marrë një vendim edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Mësohet se konsultimet e Vuçiç me anëtarët e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt janë ende duke u zhvilluar, sipas një njoftimi të Presidencës, shkruan Alo.rs.

Në një bisedë telefonike me Shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell të martën, Vuçiç tha se sot në mesditë do të merret një vendim i përbashkët pas konsultimeve me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe atë maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama la të kuptojë se ka marrë vendimin që të bojkotojë Samitin që pritet të mbahet me 23 qershor në Bruksel mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkroi se vendimin e ka diskutuar me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ka dalë në përfundimin se nuk duhet të marrë pjesë.

Bashkimi Evropian do të mbajë një takim të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor më 24 qershor në Bruksel. Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.