Transmetuar më 21-06-2022, 15:20

Neymar Junior ka ngritur sërish zërin. Braziliani ka marrë pjesë në debatin që është krijuar në Brazil, pas largimit të një lojtari të Fortaleza. Protagonisti rezulton të jetë shkarkuar nga klubi i tij pasi ka festuar ditëlindjen, mbas një humbjeje.

Tifozët e klubit kërkuan respekt, pasi skuadra është në një situatë të vështirë. Reagimi i klubit ka qenë i prerë, diçka që Neymar nuk e kupton. Kjo është arsyeja pse ai ka vendosur të bëjë një postim në Twitter.

“Ti humbe…, nuk mund të festosh ditëlindjen e gjyshes, djalit, gruas dhe sidomos ditëlindjen tënde. Të jesh sportist nuk është e lehtë, mund të jesh i lumtur vetëm pasi të të ketë mbaruar karriera, sa e çmendur”, – ka shkruar Neymar në Twitter, i cili ka dashur të pozicionohet pas asaj që ndodhi në Fortaleza.

Polemikat janë rritur në Brazil dhe Neymar nuk ka mbetur pasiv, pavarësisht se është në mes të pushimeve të tij verore. Ai prej disa kohësh kërkon respekt për jetën private. Në janar ishte një nga rastet, kur shpërtheu:

“Sa mirë është të mos jesh profesionist dhe të mos kujdesesh për veten, apo jo? Për të qenë mirë gjatë natës, duhet të kujdesesh fillimisht për veten”. Kësaj i shtoi disa "emoji" për të qeshur, si shenjë e lodhjes nga kritikat me të cilat duhet të përballet çdo ditë.

Problemi i fundit që kaloi braziliani ishin fishkëllimat në "Parc des Princes": “Ishte surreale që një pjesë e publikut të largohej nga tribunat. Ata do të lodhen duke fishkëllyer, sepse më kanë mbetur edhe tri vite nga kontrata ime. Unë do të qëndroj, kështu që ose do të ndalojnë së fishkëllyeri, ose do të duhet të mbushen më shumë me frymë”.