Transmetuar më 21-06-2022, 11:43

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, përmes një komenti në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka analizuar vizitën e dy ditëve të fundit të kryeministrit Edi Rama në Kosovë. Në titullin “KUR IRONIA PËRDORET PA VEND”, deputeti demokrat elbasanas shkruan:

“Rama ka ironizuar nga Prishtina akuzat dhe mbajtjen në qeli të Thaçit e Veselit. Dick Marty dhe Tribunali i Hagës është e vërtetë që meritojnë nota shpërfillje e ironike me akuzat qesharake ndaj luftëtarëve të UÇK-së, por a mjafton vetëm një ironi në këtë rast?!

E për më tepër, a është ky thjesht opinion kalimtar apo qëndrim zyrtar i një Kryeministri?! Mos harrojmë që me të njëjitin nivel ironie, Rama ka zhvlerësuar genocidin serb në Kosovë e masakrat e Reçakut, Krushës, Çerezit, Prekazit, Izbicës etj., zhvlerësime që u pasuan me deklarata të ngjashme të kryeministres serbe dhe të pararendura nga VUÇIÇ.

Përkundrejt kësaj ironie aspak efektive dhe më shumë e stilit gazetaresk, Rama duhet të kishte artikuluar qartë qëndrimin e tij kundër akuzave qesharake të Dick Marty dhe Hagës, në mbrojtje të vlerave dhe luftës së UÇK.

Dhe më kryesorja: Pas refuzimit të rezolutave të PD prej tij e PS, që dënojnë genocidin e masakrat serbe në Kosovë e Bosnje, Rama duhej të ishte i prerë dhe taksativ në qëndrimin e tij për këto genocide.

Por preferoi të heshtë, duke tentuar ta kalojë situatën me të qeshura ironike pa vend, ndërsa “miqtë” e tij dhe drejtuesit e UÇK përballen sot prapa hekurave, me akuza të fabrikuara nga lobet serbe dhe sivëllau i tij VUÇIÇ.

Asnjë fjalë nuk nxorri nga goja dhe fjalët GENOCID, MASAKËR, REÇAK, KRUSHË, PREKAZ i ka futur në fondin e të ndaluarave. Nuk foli jo se nuk i di, por se nuk do. I dëmtohet “Open Balkan” i Vuçiç dhe vetë Serbia e dashur e tij!”