Transmetuar më 20-06-2022, 13:16

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit. Një çështje që ka shkaktuar debate të forta mes qeverisë dhe opozitës, por edhe një pjese të shoqërisë civile, e cila e shikon si dhënie me PPP këtë pasuri të çmuar publike dhe kombëtare.

Në fakt, sikurse kanë paralajmëruar socialistët, gjithçka do të kalojë sërish në kuvend, pa ndryshuar asgjë në këtë marrëveshje.  Në argumentat kundër që jep kreu i shtetit, Ilir Meta, nënvizohet se “kjo marrëveshje cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;

Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;

Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase, që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;

Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;

Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;

Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”.