Transmetuar më 17-06-2022, 23:33

TIRANË- Kleviol Ahmeti, 36-vjeçari që u dhunua nga reperi Rigels Rajku i njohur ndryshe si Noizy ka gjetur mundësinë që të dalë drejtpërdrejt në ‘Tik Tok’. Ndërkohë që ndodhet në burg, pasi u arrestua për shkelje të masës së sigurisë ‘arresht shtëpie’, i njohuri si Cllevio Serbiano dëgjohet të komunikojë me një vajzë në Tik-Tok, ndërkohë që po përgatit një këngë të re. Në një pjesë të tekstit, ai ka futur edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri që ndodhet në burgun e Fierit, pas dënimit për shpërdorim detyre.

“Te burgu i Fierit mbërriti gjahtari i Vlorës. Pyesni Arkimedin, kush është Lolonja e Vlorës, dhe Saimir Tahiri ka frikë nga qorrat e Vlorës. U dëgjua mirë?”- thotë Cllevio.

Videoja është regjistruar dhe ruajtur nga ndjekësit e Ahmetit, pasi në profilin e tij nuk gjendet më.

Ai u arrestua pas sherrit që pati me Noizyn, pasi theu masën e arrestit për të shkuar e për ta takuar reperin në Durrës. Sherri mes tyre nisi në rrjetet sociale, por u finalizua me përleshje fizike. Ahmeti mbeti i lënduar, por pa mjekimit u dërgua në qeli. Ai kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga burgu dhe Gjykata e kishte lënë në masën e sigurisë ‘arresht shtëpie’.