Transmetuar më 16-06-2022, 13:58

Saimir Korreshi vijon me deklaratat e tij “virale”, teksa përmes ironisë denoncon realitetin e trishtë të vendit tonë. Kësaj radhe deputeti lushnjar ka shfrytëzuar mikrofonin e gazetarëve jashtë parlamentit për të goditur me fjalët e tij, jo nga podiumi i sallës plenare. Referuar vështirësive të mëdha ekonomike, Korreshi tha se në Lushnje është e vështirë të martohesh:

“Në fshatra janë djemtë beqarë, sepse janë pa punë dhe nuk iu jep njeri nuse. Është hall i madh të martohesh në Lushnje. Nuk vjen njeri. Është për të qeshur, por me ikjen edhe të gjykatës, qyteti im po degradon ditë pas dite.

Ky është vendim absurd i KLGJ. Krahas gjykatës duhet të kuptojmë që ikën edhe prokuroria. Është shkrirë gjykata e Kavajës dhe IEVP e Rrogozhinës nuk vjen në Lushnje, por shkon në Durrës.

Unë jetoj në Lushnje, e përjetoj çdo ditë. Jetën time pasditeve e kaloj në këtë qytet. Kam familjen, fisin, e shikoj që bizneset po kthehen në familjare. Nuk gjen djem për të punuar. Pronari punon vetë edhe banakier, edhe kamerier.

Lushnja është pjesa kryesore e bujqësisë, pavarësisht se edhe ata qahen. Vërtet mbjellin, por nuk shesin. Duhet një ndërhyrje e shtetit. Konkurojnë shumë 200 fermerë dhe fitojnë vetëm ata që kanë teseren e PS”.