Transmetuar më 15-06-2022, 18:54

Tiranë- Ashtu siç kishin paralajmëruar në rrjetet sociale, qytetarët u hodhën sot në protestë në Tiranë. Dhjetëra prej tyre u mblodhën para Kryeministrisë.

“Ka shku aty ku nuk mban më pilafi ujë. Ne jemi 7 anëtarë në shtëpi dhe kemi vetëm 140 mijë lekë të ardhura nga pensioni im.

Këto çmime janë për ta mbytur popullin. Ku do shkojë një fshatar që do të punojë tokën. Ka shkuar një litër vaj aq shumë. Janë rritur taksat, janë rritur çmimet e karburanteve. Ku do shkojë ky lloj populli. Ne jemi më të vafërit dhe kemi çmimet më të larta për të paguar”– u shpreh një qytetar.

“Nga qeveria kërkoj që të ketë rritje rrogash, të rriten pensionet. Ne kemi dalë në protesta por e dimë se kjo qeveri nuk do të bëjë gjë. Kjo është qeveri hajdutësh, nuk presim asgjë nga këta, kanë vjedhur miliona euro. Ka ardhur aty ku nuk mban më”– deklaroi njri prej pensionistëve protestues.

‘Duhet të ngrihet gjithë populli për ta hequr qafe këtë qeveri që na mori në qafë. Jam këtu për të protestuar për çmimin e karburantit, të ushqimeve dhe të tëra. Kam punuar në nëntokë, marr 180 mijë lekë. Po kërkojmë të drejtat tona. Popullin e morën në qafë’.

‘Të ulet çmimi i karburantit se nuk po mundemi të shkojmë në punë. Jemi shumë më dobët se para 2 viteve. Kërkojmë të ulet çmimi i karburantit, të shkojmë në punë, të hamë bukë. Me çfarë do hamë, me këto çmime’.

‘Ne po fillojmë të organizohemi sërish. Situata është e rënduar, ka rritje të çmimeve të shportës së ushqimeve, të ardhurat të njëjta’.

‘Ka shku 5 mijë lekë shishja e vajit, ministrat për qef në hotelet e Dubait. Durimi po mbaron. S’ka më nëpërkëmbje. Sistemi na jep dhunë. Rroftë e vërteta, do dalim në rrugë, me qindra, me mijëra, po nuk ranë çmimet, do bjerë qeveria. Takso oligarkët, jo qytetarët#, ishin disa nda deklarimet e qytetarëve në protestë.