Transmetuar më 15-06-2022, 16:38

Ukrainë- Kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Dritan Abazoviç, janë takuar me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, pas ftesës së këtij të fundit.

Rama dhe Abazoviç u nisën dje drejt Ukrainës të pushtuar që prej shkurtit nga forcat ruse.

Lideri ukrainas ka publikuar pamjet e këtij takimi në llogarinë e tij në Facebook. Zelensky ka pritur dy kryeministrat, të shoqëruar nga delegacionet në rezidencën presidenciale në Kiev.

Rama ka ndarë foto nga vizita e tij, të cilat janë të trishta e mbi to ka vendosur ikonën e një zemre të thyer. Në një nga fotot shihet dhe shënimi që ai ka lënë për të gjithë njerëzit që humbën jetën nga agresioni rus, ku shpreson që bota t’i japë fund kësaj lufte dhe Ukraina të dalë jashtë kësaj situate të vështirë e rilindur.

Kryeministri Edi Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri dhe Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm.

Forcat Renea janë gjithashtu të pranishme për shkak se elementët e sigurisë: ushtria dhe policia janë të ngarkuara me situatën e krijuar. (noa.al/M.D)