Transmetuar më 15-06-2022, 15:45

Operacioni policor i koduar "Eagle", i zhvilluar nga Sektori i Forcës së Posaçme "Shqiponja" në Tiranë, çoi sot në kapjen e një personi në kërkim kombëtar për vrasje në bashkëpunim dhe trafik droge.

I arrestuari është Lulzim Spahija 27 vjeç me banim në Lushnjë. Ai akuzohet se plot një vit më parë ka vrarë 25 vieçarin Fridman Xhaferraj në Korçë, krim i kryer në bashkëpunim me Kristi Bixheku.

Aksioni i sotëm

Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", morën informacione në rrugë operative, për vendndodhjen e të riut në kërkim, ndaj organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Eagle".

Në kuadër të këtij operacioni, në rrugën "Lord Bajron", u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i Lulzim Spahija, 27 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Krimi që e shpalli në kërkim

Lulzim Spahija ishte shpallur në kërkim, për veprën penale "Vrasja" kryer në bashkëpunim, pasi në bashkëpunim me Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë (i arrestuar më parë), në Korçë, më datë 13 qershor 2021, kanë goditur me sende të forta në kokë 25 vjeçarin Fridman Xhaferraj, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka lëshuar urdhër ndalimi për 27-vjeçarin Spahija, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Gjetja e kufomës

Fridman Xhaferraj dyshohet se u vra në Korçë dhe më pas u hodh në rezervuar, shkak prishja e pazareve të drogës Më 13 qershor 2021, rreth orës 11:13, në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, është konstatuar i mbytur një shtetas ende i paidentifikuar.

Trupi i pajetë u dërgua drejt morgut dhe u identifikua si Fridman Xhaferraj, 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë (i dënuar më parë për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", kryer në bashkëpunim).

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin e datës 21 maj 2021, kishte caktuar për këtë shtetas ndryshimin e masës së sigurisë, nga "Arrest në burg" në "Arrest në shtëpi".

E vranë dhe e hodhën në rezervuar, kapet në Tiranë një nga autorët e dyshuar