Transmetuar më 15-06-2022, 07:42

Në fund fare shteti pati një ‘përfitim’ prej pandemisë. Paguan më pak pensione!.

Shqipëria është futur në një proces plakjeje të shpejtë prej emigracionit të lartë të të rinjve dhe rënies së numrit të lindjeve.

Numri i pensioneve të mbyllura në skemën e sigurimeve shoqërore pësoi rritje të shpejtë në dy vitet e pandemisë, duke ndikuar në zbutjen e ritmeve të rritjes së totalit të pensionistëve.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se gjatë vitit 2021 u mbyllën 19,323 pensione me rritje 45% më shumë se mesatarja e tre viteve para pandemisë 2017-2019.

Para pandemisë dilnin nga skema rreth 13,400 pensionistë si pasojë e humbjes së jetës, por ky numër u shtua me shpejtësi gjatë vitit 2020 dhe sidomos në vitin 2021. Në vitin 2020 dolën nga skema e sigurimeve si pasojë humbjes së jetës rreth 15,590 persona, ndërsa ky numër u rrit më tej gjatë vitit 2021. Shkak për këtë rritje është bërë pandemia Covid-19, e cila goditi më së shumti me humbje jetë moshat e vjetra në pensionim.

Totali i pensionistëve që trajtohen me pagesa nga skema e sigurimeve shoqërorë arriti në 673,813 në vitin 2020.

Më herët, INSTAT raportoi se numri i vdekjeve gjatë vitit 2021 pësoi rritje të shpejtë. Në të gjithë vendin humbën jetën 30507 persona, nga të cilat 19,323 ose 63 % ishin pensionistë.

Sakaq, Shqipëria është futur në një proces plakjeje të shpejtë prej emigracionit të lartë të të rinjve dhe rënies së numrit të lindjeve. Popullsia e vendit është vënë nën presion edhe nga humbja më e shpejtë e moshave të vjetra prej krizës pandemike.

Për herë të parë që nga viti 1923, kur nisi të matej popullsia e vendit, popullsia e Shqipërisë pësoi shtesë natyrore negative në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të INSTAT për shkak se vdekjet ishin më të larta se lindjet.

Vitin e kaluar për herë të parë shtesa natyrore ishte negative, pasi numri i vdekjeve ishte 3296 persona me i lartë se i lindjeve.