Transmetuar më 12-06-2022, 16:05

Ish lider i PS dhe ish-Kryeministri Fatos Nano mbetet gjithnjë figurë që tërheq vëmendje.

Ashtu ka ndodhur edhe muajt e fundit, teksa në vend diskutohej për emrin e Presidentit.

Prej shumë vitesh, emri i Nanos është lakuar si një kandidat potencial. Edhe në zgjedhjen e fundit të Presidentit, emri i tij u lakua sërish si një ndër kandidatët e mundshëm për këtë post. Por as këtë herë emrin i tij nuk u propozua nga partia që drejtoi për shumë vite.

Që pas largimit tij nga politika aktive, daljet kanë qenë të pakta, duke zgjedhur të jetojë jetën i qetë larg fokusit mediatik. Ndaj fotot e shkrepura nga paparaci ynë, janë ndër të rrallat që vijnë nga Nano në vitet e fundit. Ish-Kryeministri i Shqipërisë është fotografuar këto ditë, te “Shallvaret”, ku është shfaqur i veshur thjesht.

Duhet thënë se në këtë zonë, Nano jetonte në kohën që ishte Kryeministër. Pas tërheqjes nga jeta politike, familja Nano u zhvendos në periferi të Tiranës. Por, duket se kjo lagje mban ende Nanon, si një nga banorët më të spikatur. Ai është fotografuar në orët e paradites, ku së bashku me një tjetër person që e shoqëronte ka ndaluar te një shitës libra të përdorur në rrugë. Ashtu si shihet edhe nga shkrepjet, ai ka qëndruar disa momente duke parë titujt, i vëmendshëm në kërkimin e tij.

I veshur me një këmishë dhe pantallona “casual”, Nano kishte zgjedhur të “maskohej” me një palë syze dielli. Duket se qëndrimi i tij jashtë angazhimeve politike, e ka bërë të tregohet edhe më i thjesht në veshje, duke hequr dorë nga veshja serioze me kostum dhe kravatë. Ajo që ne na bëri përshtypje është fakti se ish-Kryeministri shfaqet disa kile më tepër nga sa ishim mësuar ta shihnim.

Vetëm pak kohë më parë, në media u shkrua për problemet shëndetësore të tij. Në një video të publikuar kohë më parë, shihej ish-kreu i PSsë, Fatos Nano, i cili mbërrin në spital me karrocë më rrota. Në pamje dukej teksa ai zbriste nga makina tip “Mercedes Benz” i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana Nano dhe shoqëruesi i tij. Kaq mjaftoi që media të zbulonte detaje rreth shëndetit të tij, duke theksuar se kishte komplikacione në mushkri.

Megjithatë, duket se këto ditë i përkasin së shkuarës, pasi tashmë Nano gëzon shëndet të plotë dhe përfiton nga ditët me diell në Tiranë për të shëtitur, por pse jo edhe për të parë disa tituj librash. Që pas daljes së tij nga skena politike, Fatos Nano ka jetuar larg fokusit mediatik, ku ka preferuar të kalojë më shumë kohë me familjen. Së bashku me të dhe bashkëshorten e tij, Xhoanën, jeton edhe djali i saj, që Nano e ka birësuar. Të rralla kanë qenë rastet kur ai ka publikuar foto të ndryshme në rrjetet sociale nga jeta e përditshme. Dhe sa më shumë ai përpiqet të qëndrojë diskret për jetën e tij larg politikës, aq më i madh është interesi për Fatos Nanon./ panorama