Transmetuar më 11-06-2022, 15:31

Kosovë- Nuk reshtin sulmet ndaj policisë në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë, 10 qershor, në rrugën Mitrovicë – Jarinjë ka ndaluar një kamion që transportonte dele pa dokumentacion dhe se gjatë kontrollit janë hedhur mjete piroteknike nga disa automjete që janë afruar drejt njësive policore.

‘Rreth orës 22:15, patrulla policore e policisë kufitare, gjatë patrullimit në magjistralen Mitrovicë-Jarinje, në fshatin Rudar të Zveçanit, ka vërejtur një kamion të cilin e ka ndaluar për kontroll. Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur 56 (pesëdhjetë e gjashtë) krerë dele. Drejtuesi i kamionit nuk posedonte asnjë dokument për origjinën ose prejardhjen e kafshëve.

Gjatë procedurave të kontrollit të kamionit, kanë ardhur disa automjete nga të cilat janë hedhur mjete piroteknike në afërsi të njësisë policore.

Nga këto mjete nuk ka pasur persona të lënduar. Kurse, kamioni është shoqëruar në terminalin doganor në Mitrovicën e Jugut për procedura të mëtejme”, citohet në njoftimin e policisë.

Nuk është hera e parë që policia sulmohet në veri të Kosovës. Incidente të kësaj natyre, madje edhe me armë zjarri kanë ndodhur në të kaluarën.