Transmetuar më 10-06-2022, 21:02

Një rast tronditës vjen nga Dimali. Në Fiks Fare u ankua 80 vjeçarja Bule Xeba nga Dimali, pasi e vetme me bashkëshortin e sëmurë vuan për një rrugë.

Gurorja e ndërtuar afër shtëpisë së saj i ka zënë rrugën për të dalë nga shtëpia, komshinjtë nuk e lenë që të hyjë në oborret e tyre për rrugë tjetër dalëse, dhe e vetme e moshuara transporton me karrocën e plehut bashkëshortin e sëmurë për ta çuar në spital.

Ajo tregon për Fiksin se kjo situatë ka prej 7 vitesh po e njëjtë edhe pse është ankuar në bashki nuk ka marrë zgjidhje. “Unë pothuajse sa herë ka nevojë burri që i bie dy herë në javë e fus në karrocën e plehut dhe e nxjerr në xhaden kryesore, mënyrë tjetër nuk” shprehet ajo.

Edhe pse thërret ambulancën për hallin që ka , kjo e fundit nuk futet dot në rrugën këmbësore që ka 80 vjeçarja në përdorim. Përveç ambulancës aty nuk mund të hyjë asnjë makinë tjetër emergjence qoftë zjarrfikëse apo makinë funerali.

Edhe policia e ka të pamunduar të hyjë në rrugicën e saj. Kështu që në këto kushte është e detyruar që me shumë mundime të vendosi mbi karrocë burrin e saj e më pas të eci me të e karrocën e plehut për gati 200 metra deri sa ta nxjerri në rrugën kryesore.

Në fakt nga krahu tjetër e moshuara ka një rrugë, por që është bllokuar nga një gurore me leje.

Për vite me radhë është ankuar në Bashinë Dimal për t’i mundësuar një rrugë kalimi, por që topografi i bashkisë Ingrid Shkëmbi e ka përzënë nga zyra pasi me hartën topografike ai është në rregull.

Fiksi bashkë me 80 vjeçaren iu drejtuan Bashkisë Dimal për të marrë një përgjigje në lidhje me këtë problem. Pasi pritën për gati një orë topografin , se kishte dalë në terren , gazetarët u lidhën me të në telefon.

Topografi Ingrid Shkëmbi u shpreh se rruga është e hapur dhe në hartë ajo rrugë është shtetërore dhe me ato cilësi që ka aktualisht, por e moshuara shprehet se ajo e ka blerë rrugën bashkë me një ndërtesë të një ish komshiu, por që nuk ka dokumentat. ” Unë e kam blerë por asokohe nuk i dhashë rëndësi dokumentave, personi që unë ia kam blerë ka ndërruar jetë dhe djemtë e tij nuk m’i japin firmat” shprehet 80 vjeçarja.

Por topografi pas interesimit të Fiksit u shpreh se do e rishikonte edhe njëherë problemin për t’i dhënë një zgjidhje. Fiksi do e ndjekë në vazhdimësi rastin për t’u dhënë mundësi këtij çifti të moshurish për të patur një rrugë kalimi ku të paktën të futet ambulanca.